Kina mposht Japoninë, renditet si ekonomia e dytë më e madhe në botë
Qeveria japoneze ka publikuar ditën e djeshme të dhëna që rendisin Kinën para Japonisë si ekonomia e dytë më e zhvilluar në botë. Statistikat tregojnë që bruto prodhimi shoqëror i Japonisë për tremujorin e fundit ka arritur në shifrën 1.28 trilion dollarë amerikanë, ndërsa ai i Kinës ishte 1.33 trilion dollarë.
Megjithatë, duhet pasur kujdes në mënyrën se si interpretohen të dhënat, pasi ky ndryshim është mbështetur vetëm për periudhën prill – qershor. Nëse llogaritë bëhen duke parë ecurinë e ekonomive për gjysmën e këtij viti, atëherë Japonia vazhdon të jetë ekonomia e dytë botërore. Sidoqoftë, askush nuk pret që Japonia të rikthejë pozitën e fituar që nga viti 1968, kur tejkaloi Gjermaninë Perëndimore dhe u bë ekonomia e dytë më e zhvilluar në botë. Ministri i Ekonomisë së Japonisë, Satoshi Arai, duke folur para gazetarëve në Tokio, u mundua që të mos u japë shumë rëndësi të dhënave për ekonominë e vendit të tij.
“Kushdo që është në krye të listës, apo më poshtë, nuk ka rëndësi. Kjo në fakt tregon vetëm shëndetin ekonomik të çdo shteti. Zhvillimi i vendit tonë përcjell për së afërmi atë të Kinës dhe vendeve të tjera aziatike. Kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë sonë të zhvillimit", tha ministri Arai. Për japonezët e rëndomtë nuk duket që ka shumë rëndësi nëse Kina e ka tejkaluar vendin e tyre si ekonomia e dytë më e madhe në botë. Këtë e pohoi një sondazh i bërë ku këtë qëndrim e mbajnë mbi gjysma e japonezëve të intervistuar. Në Japoni ka të tillë që të jetuarit afër një superfuqie e shohin madje edhe si përparësi. Një nga ta është ekonomisti me përvojë, Hideki Matsumura, përfaqësues i Institutit të Kërkimeve në Japoni. "Është e vërtetë që ka element negativ në faktin se teknologjia kineze po përmirësohet pasi kjo çon drejt asaj që tani kompanitë kineze bëjnë garë me ato japoneze. Megjithatë, ka edhe një element shumë të madh pozitiv në rritjen ekonomike të Kinës. Tani më shumë banorë të Kinës do të blejnë prodhimet japoneze dhe kështu në përgjithësi zhvillimi ekonomik i Kinës është një gjë e mirë për Japoninë”, theksoi ekonomisti Matsunmura. Nëse Kina arrin të mbajë këtë trend zhvillimi të ekonomisë, atëherë sipas vlerësimeve të ekonomistëve, deri në vitin 2030, shteti komunist do t’i tejkalojë edhe SHBA-të, si ekonomia më e madhe në botë. Megjithatë, për të arritur deri te kjo pikë, Kina ende ka shumë për të bërë, pasi SHBA-të vazhdojnë të kenë bruto prodhimin shoqëror rreth 14 trilion dollarë në vit.
Iran
Më 2011 fillon ndërtimi i dhjetë centraleve bërthamore
Irani ka bërë të ditur se vitin tjetër do të fillojë puna për ndërtimin e dhjetë centraleve bërthamore, duke injoruar fuqitë botërore, të cilat kanë ndërmarrë sanksione të reja kundër Teheranit, për shkak të vazhdimit të punës së ndjeshme atomike. Shefi i agjencisë atomike iraniane, Ali Akbar Salehi, është cituar në televizionin shtetëror, të ketë thënë se kërkimet për lokacionet e reja për 10 kapacitete për pasurim të uraniumit kanë përfunduar dhe se “ndërtimi i njërit prej këtyre kapaciteteve do të filloj në mars të vitit 2011 ose në fillim të vitit 2012”.
Rusi
Skandal tjetër spiunazhi, arrestohet diplomati rumun
Mediat moskovite raportojnë se një diplomat rumun u vu në pranga nën akuzën se punon si agjent i maskuar si Sekretar i Parë i Departamentit Diplomatik të Ambasadës rumune në Moskë. Lajmi konfirmohet prej kundërspiunazhit rus të cilët saktësuan se diplomati rumun, emri i të cilit nuk bëhet publik, u ndalua teksa po përpiqej të siguronte të dhëna sekrete ushtarake nga një shtetas rus. Ky nuk është rasti i vetëm i spiunazhit në rusi. Më herët qeveria e këtij vendi bëri një këmbim spiunësh me SHBA-të, të cilët akuzoheshin se ishin infiltruar në këtë vend.
Hong Kong
Botohet libri që demaskon kryeministrin Xiabao
Libri “Ven Xiabao: Aktori më i mirë kinez”, ka mundur më në fund të dalë në tregun e Hong Kongut edhe pse autori i tij është kërcënuar se do të dënohet me burg. Libri kritikon kryeministrin kinez, veçanërisht për qasjen e tij ndaj opozitës apo zërave kritikë. Hong Kongu ka qenë ish koloni britanike, që i është rikthyer Kinës në vitin 1997. Hong Kongu ka ruajtur një lloj autonomie nga Pekini dhe njerëzit kanë shumë më tepër liri e të drejta se sa në Kinën kontinentale.
Pakistan
OKB: Rrezikohen 3.5 milionë fëmijë nga sëmundjet
Kombet e Bashkuara thanë së 3.5 milionë fëmijë në Pakistan rrezikohen nga sëmundjet që shkaktohen nga uji i ndotur. Organizata Botërore e Shëndetësisë është përgatitur të përballojë 140 mijë raste në rast të shpërthimit të kolerës. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Mauricio Xhuliano, tha se “uji dhe shëndeti” paraqesin shqetësimet më të mëdha për organizatën botërore. Sistemi i furnizimit me ujë në Pakistan është dëmtuar rëndë nga përmbytjet. Këto të fundit kanë prekur rreth 20 milionë njerëz dhe një të pestën e territorit të vendit.
Tajlandë
Fillon procesi gjyqësor kundër 17 opozitarëve
Tre muaj pas trazirave të rënda në Tajlandë para gjykatës po japin llogari 17 anëtarë të "Këmishkuqve" opozitarë. Prokuroria i akuzon ata për akte terroriste, nxitje të trazirave dhe kërcënim të pjesëtarëve të kabinetit qeveritar. Të akuzuarit thanë në fillim të procesit se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Sipas tyre akuzat janë të motivuara politikisht. Ndërkohë qeveria tajlandeze ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur qysh në muajin prill, edhe nga tri krahina të tjera.
Izrael
Planifikohet blerja e 20 avionëve luftarakë amerikan
Izraeli planifikon blerjen e avionëve modernë luftarakë amerikanë me vlerë prej disa miliardash. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak ka miratuar blerjen e 20 avionëve luftarakë, konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes. Në njoftimet e agjencive të lajmeve thuhet se çmimi i blerjes është rreth katër miliardë dollarë dhe do të financohet me ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas deklaratave të ekspertëve ushtarakë, këta avionë luftarakë mund ta ndihmojnë Izraelin për të sulmuar edhe impiantet bërthamore iraniane.
17 Gusht 2010