E Diel, 1 Nëntor 2026

Seminari i 29-të i Gjuhës Shqipe me dy tema në sesionin shkencor



Seminari i 29-të Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, ka filluar mbrëmë në Prishtinë. Seminari në sesionin shkencor të tij, do të trajtojë dy tema, nga fusha e gjuhësisë "Kontaktet e sotme të shqipes", nga letërsia do të trajtohet “Poezia e sotme shqipe”, ndërkohë tryeza e sivjetme e këtij seminari do t’i kushtohet nobelistes shqiptare Nënë Tereza, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Në këtë seminar do të marrin pjesë mbi 200 studiues shqiptar dhe ndërkombëtarë. Gjatë dymbëdhjetë ditëve do të trajtohen tema të zgjedhura problemore nga fusha e albanologjisë, do të mbahen kurse të gjuhës shqipe për të huajt në tri nivele, do të mbahen tri ligjërata nga lëmi i ngushtë i filologjisë dhe një mbi shtetësinë e Kosovës. Një tryezë ndërkaq do t’i kushtohet humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terezës, për nder të njëqindvjetorit të lindjes së saj. 116 studiues shqiptarë dhe të huaj do të marrin pjesë në sesione shkencore, 81 pjesëmarrës të huaj do të mësojnë gjuhën shqipe, ndërsa 40 të tjerë do të kenë referime shkencore. Do të lexohen ndërkaq 106 kumtesa mbi kontaktet e gjuhës së sotme shqipe.
Drejtori i këtij seminari Liman Matoshi, ka thënë se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën tashmë është shndërruar në institucionin më të lartë shkencor të albanologjisë në botë. “Ky seminar ka aktivizuar një armatë të tërë shkencore, e cila merret me çështje të ndryshme të fushave albanologjike dhe presim që t’i begatojë dhe t’i avancojë studimet shqiptare”. Seminari i 29-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare do të tubojë më se 150 studiues nga vendi dhe bota dhe mbi 80 kursistë të gjuhës shqipe, për të cilët mësimi i shqipes është organizuar në tri nivele të kurseve. Zoti Matoshi ka thënë se interesimi i albanologëve këtë vit është akoma më i madh. “Seminari ka zgjuar interesim të madh edhe te studentë e studiues të huaj dhe te ata shqiptarë, saqë objektivisht nuk mund të pranohen të gjitha kërkesat për të qenë pjesë e punës së seminarit. Disa nga emrat të njohur që do të marrin pjesë janë: Oliver Shmid nga Austria, Stvan Shud nga Hungaria, arvanitasi Nikos Tilos dhe shumë emra të tjerë”. Blerta Ismajli, sekretare e këtij seminari, thotë se këtë vit ka pjesëmarrës nga shumë vende të botës, disa prej të cilave kanë qendra për studimin e albanologjisë. “Kemi pjesëmarrës nga shumë vende të botës, nga SHBA-të, vende të ndryshme të Evropës dhe nga Polonia e Rusia, si vende ku ekzistojnë qendrat e studimeve albanologjike”, tha Blerta Ismajli. Gjatë ditës së djelë pjesëmarrësit e këtij edicioni kanë arritur në kryeqendrën e Kosovës. Përpos referimeve shkencore dhe kurseve të gjuhës, për ta është paraparë edhe një pjesë programore që jep informacione për historinë, monumentet dhe në përgjithësi për kulturën kosovare. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare cilësohet si ngjarja më e madhe e kësaj fushe. Që nga themelimi i tij në vitin 1974, kanë marrë pjesë qindra gjuhëtarë e studiues të njohur të albanologjisë nëpër botë. Seminari ka arritur që ta përhapë në masë të madhe shkencën e albanologjisë dhe kulturën shqiptare në shumë vende të botës. Në këtë seminar, për herë të parë do t’iu jepet mundësia që të marrin pjesë edhe studiuesve të rinj shqiptarë. Seminari do të zgjasë punimet deri më 27 gusht. Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, nisi të organizohet në vitin 1974, viti i Kushtetutës kur iu dhanë disa të drejta shqiptarëve të Kosovës në kuadër të Federatës së atëhershme Jugosllave. Në fillim të viteve ’90 organizimi i tij i përvitshëm u ndërpre për shkak të masave të dhunshme të Beogradit në Kosovë dhe dëbimit të shqiptarëve nga institucionet. Në vitet 1995-1996, sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas luftës në Kosovë, nga viti 2000 seminari u rikthye për të zhvilluar veprimtarinë aty ku e filloi dhe ku u themelua – në Fakultetin Filozofik (tani Fakulteti i Filologjisë) në Universitetin e Prishtinës.

Çelet java e kinemasë spanjolle
Java IX e Kinemasë Spanjolle në Durrës ka sjell për pushuesit regjisorin Carlos Inglesias me filmin “Një frangë, 14 peseta”. Teatri “Aleksandër Moisiu” për katër net radhazi ju ofron pushuesve kinemanë spanjolle të viteve ’60. Në kuadrin e programacionit kulturor të mbylljes së Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian, dhe duke qenë se kinemaja është një nga transmetuesit më të mirë të kulturës në shprehjen e saj shumëfishe, do të projektohen një seri filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së si Portugalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat që si Spanja, ashtu edhe Europa, kanë përballuar në 50 vitet e fundit. Secili prej tyre përcjell edhe pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë europiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle. Filmi vendoset në Spanjën e viteve 1960, ku dy miq, Martíni dhe Markos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune. Lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re në Europën e progresit dhe të lirive. Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm, me të cilin duhet të përshtaten, duke punuar si mekanikë në fabrikën të një fshati të vogël industrial. Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre Pablo, si dhe të Maria Karmenit, që është e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, që të dy bënin në atë vend plot liri. Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinin, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet. Me vdekjen e babait të Martinit, mendojnë se atë që kishin kërkuar e kishin arritur tashmë, dhe vendosin të kthehen. Për çudi të tyre, do të jete më i vështirë kthimi se sa largimi.

Inva Mula, soprano dhe regjisore në TOB
Kalendari artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit deri më dhjetor të këtij viti parashikon një larmi aktivitetesh. Sopranoja Inva Mula, dirigjenti Ermir Krantja, tenori Josif Gjipali janë disa nga artistët e njohur shqiptarë, me të cilët Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapë siparin e sezonit artistik tetor-dhjetor 2010. Nga data 1 deri më 6 tetor në skenën e këtij teatri do të ngjitet premiera e operës "Përrallat e Hoffmanit" me libret të Jacques Offenbach. Kjo do shënoje edhe një rikthim të sopranos së njohur Inva Mula në skenën shqiptare, e cila këtë radhë do jetë edhe regjisorja e kësaj pjese. Një tjetër figurë e artit shqiptar, që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës gjatë këtij sezoni, do të jetë edhe dirigjenti Ermir Krantja, i cili do të vijë në Tiranë për të drejtuar orkestrën për një koncert që do të mbahet për nder të sopranos Tefta Tashko Koço në 100-vjetorin e lindjes së saj. Ky koncert i parashikuar të mbahet më 25 tetor, do të ketë në program repertorin e sopranos së madhe lirike shqiptare. Kalendari artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit deri më dhjetor të këtij viti parashikon edhe aktivitete të tjera si premierën e operës "Othello", një bashkëpunim ndërmjet Teatrit "Verdi" të Triestes, Operës së Splitit dhe TOB-it.

Ministri Xhaferaj në qytetin antik të Apolonisë
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj do të vizitojë sot qytetin antik të Apolonisë. Qëllimi i vizitës së tij do të jetë njohja nga afër me zbulimin e fundit arkeologjik të statujës romake, njofton Ministria e Kulturës. Statuja antike u zbulua pak ditë më parë nga disa arkeologë shqiptarë dhe francezë. Kjo është hera e parë në 50 vitet e fundit që gjendet një statujë e përmasave të mëdha në Apoloni. Sipas studiuesve statujat e fundit të këtyre dimensioneve kanë qenë ato të zbuluara nga ekspedita ruso-shqiptare e drejtuar nga Profesor Selim Islami dhe Profesori rus. Vladimir Bllavatski në vitet 1958-1960. Studiuesit shprehen se ky është zbulimi më spektakolar i 50 viteve të fundit në Apoloni.

Kajro, çelet muzeu më i madh Islam në botë
Në Egjipt është hapur muzeu më i madh Islam në botë, pas tetë vjet restaurimi.
Muzeu është hapur të shtunën në Kajro, ku ndodhen 500 objekte me vlerë historike dhe artistike, në 25 sallat e tij. Në mesin e objekteve më të rëndësishme janë çelësi i stolisur me ar i xhamisë qendrore në Mekë, dhe dinari më i vjetër Islam nga viti 697. Në muze janë ekspozuar edhe dorëshkrime të rralla të Kuranit, instrumente të lashta të astronomisë, si dhe instrumente që janë përdorur në arkitekturë dhe kimi.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›