E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuari thyen 24 ditë lejen, familjarët e çojnë në qeli



KORÇË - Marrin leje shpërblyese nga burgu dhe zhduken. Disa prej tyre kapen e disa vetëdorëzohen. Disa të tjerë largohen dhe nuk gjenden për vite me radhë. E drejta për të marrë leje shpërblyese u takon të gjithë të burgosurve që plotësojnë disa kritere, por jo të gjithë e respektojnë afatin. Dy raste kanë ndodhur brenda pak ditësh. Pas “arratisjes” dyditore të një të dënuari, një tjetër i burgosur nuk e ka respektuar lejen e dhënë nga burgjet, duke e thyer atë me më shumë se 20 ditë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë bërë të ditur se i dënuari Sokol Mahilaj e ka thyer lejen e dhënë me 24 ditë.
Vetëm tri ditë më parë ishte Drini Shametaj, i dënuar me 3 vite burg, që nuk ishte kthyer në afatin e caktuar nga Drejtoria e Burgut të Rrogozhinës. Ai kishte marrë leje pesëditore, por e ka thyer për dy ditë rresht, duke u shpallur në kërkim dhe u ndalua nga Policia e Vlorës.
Leja e thyer
Sokol Mahilaj kishte marrë leje për pesë ditë dhe duhej të kthehej në datën 21 korrik, por është sjellë nga familjarët vetëm dy ditë më parë në orën 13:00. Është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ajo që e ka bërë të ditur lajmin. Sipas të dhënave, në datën 16 korrik 2010, Drejtoria Burgut Korçë ka miratuar dhe dërguar me leje shpërblyese, konform normave procedurale të përcaktuara në Ligjin Nr. 8328, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” dhe Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, të dënuarin Sokol Mahilaj, banues në Vlorë. Ai ishte i dënuar me 5 vjet heqje lirie për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, nga të cilit i kishin mbetur për të vuajtur dhe 3 muaj. Sipas të dhënave nga Burgjet, i dënuari duhej të kthehej në institucion në orën 12:00 të datës 21 korrik 2010. Por kjo s’ka ndodhur. Sokol Mahilaj, pas mbarimit të afatit të lejes shpërblyese, nuk është kthyer në afatin e caktuar.
Denoncimi
Kur është parë që i dënuari nuk është kthyer në vendin e ruajtjes së dënimit, drejtuesit e Burgut të Korçës kanë filluar marrjen e masave ndaj tij. Sipas të dhënave nga institucioni, ndaj këtij të dënuari është bërë kallëzim penal. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia, por nuk ishte gjetur. Dy ditë më parë, në datën 15 gusht 2010, rreth orës 13:00, i shoqëruar nga familjarët e tij, i dënuari Sokol Mahilaj është kthyer dhe dorëzuar vullnetarisht në Burgun e Korçës. Pasi është paraqitur në burg, drejtuesit e institucionit e kanë dërguar Mahilajn pranë Komisariatit të Policisë Pogradec, duke e vënë në dispozicion të organeve të hetimit, pasi ndaj tij kishte filluar procedimi penal.

Zjarri në Kakome, policia shoqëron 27 persona
SARANDË - Të paktën 27 banorë të fshatit Nivicë janë shoqëruar deri tani në komisariat, pas sulmit të djeshëm në ambientet e firmës që po ndërton fshatin turistik në Kakome. Por, sipas burimeve nga Komisariati i Sarandës, ende nuk janë ndaluar pasi autorët kanë qenë të mbuluar në fytyrë. Banorë të zonës dogjën e shkatërruan zyra e pajisje të kantierit të ndërtimit. Rojet e objektit i lejuan banorët të hyjnë në kantier, pasi në mes të tij kalon rruga për në manastirin e Shën Mërisë, që mban të njëjtin emër me festën që ortodoksët kremtuan këtë të diel. Pas ritualeve fetare disa të rinj janë larë për disa orë në det e më pas kanë nisur të qëllojnë me gurë drejt godinës së administratës. Ata kanë spërkatur me bidonë me benzinë disa ambiente, një motoçiklete dhe një makine u kanë vënë flakën. Autorët nuk kanë kursyer edhe një autobot, por fatmirësisht ngarkesa e tij ishte me ujë dhe jo karburant, nga djegia e të cilit mund të ishte shkaktuar një katastrofë e vërtetë. Për t'i shpëtuar grupit të agresorëve, punonjësit e pranishëm janë tërhequr dhe janë futur në disa zyra të katit të dytë. Situata është normalizuar pas ndërhyrjes së policisë.
Ky nuk është rasti i parë i ushtrimit të dhunës dhe dëmtimeve në kantier. Që nga viti 2005, kur iu dha miratimi ndërtimit të fshatit turistik, banorët e Nivicës kanë protestuar e madje reaguar edhe në mënyrë të dhunshme për të penguar punimet, duke pretenduar pronësinë mbi këtë tokë.

Aksident hekurudhor, treni përplas 53-vjeçaren
DURRËS - Një grua ka mbetur e plagosur rëndë gjatë një aksidenti hekurudhor që ndodhi paraditen e djeshme në zonën e Golemit në Durrës. Treni i mallrave i linjës Durrës-Elbasan ka përplasur një këmbësore 53-vjeçare që po kalonte shinat hekurudhore. Makinisti nuk ka mundur ta shmangë dot përplasjen me 53-vjeçaren, e cila është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit në një gjendje të rëndë shëndetësore, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët thonë se gjendja e saj vazhdon të jetë kritike për shkak të dëmtimeve të rënda të marra në trup. Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet dhe ka bërë paraprakisht shoqërimin e makinistit deri në zbardhjen e plotë të aksidentit.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›