E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët përshëndesin Policinë për neutralizimin e killerit Dritan Dajti

Ambasadorja britanike Fiona Mcllwham i ka shprehur dje ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, ngushëllimet e bashkësisë ndërkombëtare për humbjen e 4 efektivave të policisë, ndërkohë që ka premtuar se BE do të ndihmojë edhe më tej luftën pa kompromis ndaj mbeturinave kriminale që Dritan Dajti e malavita mbajnë si trashëgimi nga epoka e shtetit korruptiv të ish-komunistëve

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani priti dje në një takim Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë Fiona Mcllwham.
Ambasadorja ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të katër oficerëve të policisë shqiptare e njëherësh vlerësoi edhe nderimin e tyre me titullin “Dëshmorë të Atdheut”.
Ambasadorja Mcllwham theksoi gjatë takimit se, “ngjarja e së premtes në Durrës dëshmon vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me të njëjtën forcë luftën kundër krimit të organizuar, dhe shtoi, se në këtë rrugë dhe në këtë agjendë të forcimit të ligjit e sigurisë në vend, qeveria britanike do të japë gjithnjë mbështetjen e saj”.
Ndërsa nga ana e tij ministri i Brendshëm, Bujar Nishani shprehu falënderimet në emër të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare për asistencën e vazhdueshme të qeverisë britanike për Policinë e Shtetit dhe përvojën e ofruar për sundimin dhe respektimin e ligjit.
Ministri i Brendshëm, duke u ndalur tek rënia në detyrë e katër oficerëve të policisë gjatë një aksioni në Durrës më 7 Gusht 2009, u shpreh se, “oficerët e policisë dëshmuan kurajë, guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme, me qëllimin për të kryer detyrën ndaj atdheut e në të njëjtën kohë duke synuar deri në fund respektimin maksimal të ligjit”.
Ministri Nishani u shpreh më tej se, “shembulli i oficerëve të policisë të rënë në detyrë do të jetë frymëzim për luftën e vazhdueshme të strukturave të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar”.         
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka marrë mesazhe ngushëllimi për rënien në detyrë të katër oficerëve të policisë, nga Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, Ambasadori i Republikës së Italisë, Sabba D’Elia dhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›