“Plaku dhe deti”, si alternativë pasionante e kabinetit “Berisha 2”
Teksa kam parë e dëgjuar këto ditët e fundit kryeministrin shqiptar Sali Berisha të lançojë e përurojë projekte të ndryshme ndërtimore për të shfrytëzuar në maksimum produktin turistik që ofron vija jonë bregdetare prej mëse 420 km, mendja më ka shkuar shpesh tek mesazhet e pasionit dhe këmbënguljes për të arritur gjëra madhore edhe atëherë kur mendohet se mundësitë janë të kufizuara, sikundër është mesazhi që përcjell romani i famshëm i Ernest Heminguejit “Plaku dhe deti”. Berisha thotë se, brenda vitit të ardhshëm nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar që çon drejt detit, duke synuar që të bëjë, kështu, realitet shpresën e shfrytëzimit maksimal të potencialeve turistike që ofron me shumicë bregdeti shqiptar. Natyrisht nuk do të ketë vetëm rrugë, të cilat do të rikonstruktohen, ndërtohen e asfaltohen por edhe vepra të tjera infrastrukturore si; ujësjelljësa, impjante për pastrimin e ujërave të zeza, objekte energjitike e shumë vepra të tjera publike, krahas objekteve private të ndërtuar sipas një plani mjaft të studjuar, tashmë.
Ndërkohë në shpatet e maleve, përgjatë fushave e luginave apo mes për mes Shqipërisë po ndërtohen për “tre ditë e tre net” autostradat dhe rrugët më të shkurtra, të cilat, përveç të tjerash i shërbejnë edhe shfrytëzimit maksimal të potencialeve turistike që ofron bregdeti i rrallë shqiptar apo zonat e tjera turistike të vendit tonë. Në sezonin e sivjetshëm veror vetëm një korsi e rrugës Milot-Morinë solli drejt detit qindëra e mijëra shqiptarë të Kosovës apo territoreve të tjera në kufi të saj. Imagjinoni se ç’mund të ndodh kur të përfundojë së ndërtuari edhe Rruga e Arbrit, Boshti i Jugut apo një sërë rrugësh dhe autostradash të tjera anë e mban Shqipërisë!?...
Gjeografët dhe ekspertët e huaj e vlerësojnë Shqipërinë si një vend me potencial të lartë turistik, natyrisht të pashfrytëzuar si duhet edhe në kushtet e ekonomisë së tregut që kemi filluar të ndërtojmë në fillim të viteve ‘90. Mungesa e investimeve të ndryshme publike në funksion të zhvillimit të turizmit deri në verën e vitit ’05, veç të tjerash, e kanë patur burimin edhe tek koncepti enverist i majtistëve të rinovuar shqiptar për zhvillimin e “bunkerizuar” të turizmit, natyrisht jo duke ndërtuar bunkerë ushtarak si në kohën e monizmit por “bunkerë civil”, siç mund të konsiderohen pa frikë pjesa më e madhe e pallateve apo objekteve të tjera të ndërtuara në këtë periudhë në të gjithë vijën tonë bregdetare nga Velipoja në Butrint. Situata ka filluar të ndryshojë vetëm 2-3 vitet e fundit, pas këmbënguljes dhe pasionit qeverisës të Berishës për detin dhe gjithë natyrën turistike të vendit tonë. Mjafton të kujtojmë se vitin e kaluar u dyfishuan të ardhurat, që në strategjinë e tyre të zhvillimit të turizmit, qeveritarët majtist i kishin parashikuar të arriheshin në vitin 2012. Natyrisht rezultatet nuk mungojnë atje ku, si në novelën “Plaku dhe deti”, realiteti “përkthehet” në gjuhën e objektivave për bërë vepra të mëdha edhe atëherë kur duket sikur mundësitë janë të kufizuara. Për këtë vështrimi shtrihet larg, me qëllim që krahasimi të bëhet edhe me të tjerët. Një veprim i tillë nxit ambicjen për fituar kohën e humbur dhe për t’i arritur apo tejkaluar më të mirët. Konkretisht sot, në avangard të turizmit në rajonin tonë qëndrojnë Greqia, Turqia e Kroacia, të cilat fitojnë çdo vit së bashku mbi 35 miliardë dollarë të ardhura. Por prapa nuk qëndron as Mali i Zi, megjithëse nuk ka as një të tretën e vijës sonë bregdetare dhe siguron 2-3 herë më shumë të ardhura nga turizmi se sa Shqipëria, e cila favorizohet së tepërmi nga vendndodhja gjeografike e vendit tonë në pellgun e Mesdheut, në një nga zonat më produktive të botës për këtë lloj aktiviteti. Ndërsa numëri i vendeve europiane të cilat kontribuojnë nëpërmjet zhvillimit të turizmit bregdetar është mjaft i kufizuar, për shkak të kushteve të papërshtashme klimaterike, dhe këto vende shtrihen kryesisht në jug të kontinetit siç mund të përmendim Spanjën, Francën, Italinë, Greqinë, Turqinë dhe disa vende të Ballkanit Perëndimore me shtrirje në bregdetin dalmat. Prioriteti që po u jep dhe këmbëngulja që po tregon në vazhdimësi qeveria “Berisha” për investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, energjitikë e atë të ujit të pijeshëm premton shumë për të ardhmen e ndritur të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Fakt është se, me gjëndjen aktuale të investimeve të ndërmarra në bregdetin shqiptar kërkohet ende punë e jashtëzakonshme ndryshuese, ndërkohë që shpresa qëndron para së gjithash tek çimentimi i standardit qeverisës që krijoi qeveria “Berisha 1” për trajtimin e turizmit si aktivitet bazë i zhvillimit tonë ekonomiko-shoqëror e shoqëruar me ndryshimin e mentalitetit privat për ushtrimin europian të këtij “profesioni”.
Sigurisht kjo punë nuk do të jetë e lehtë as për 4 vitet e ardhshme, por gjithësesi do të jetë plotësisht e mundshme për shkak të përvojës, këmbënguljes dhe njohjes ekselente të “profesionit” kryeministror nga ana e Berishës, ashtu si ajo e “Plakut” të Heminguejit. Shkrimtari i madh amerikan, nëpërmjet novelës që i dha atij çmimin “Nobel” na përcjell mesazhin e njohur filozofik se jeta zhvillohet nëpërmjet luftës me vështirësitë. Nga ana tjetër ai na tregon se “madhështorja” nuk mund të arrihet duke shtrirë vetëm dorën për të kapur sendet që shtrihen brenda perimetrit të krahëve tanë, por duke rendur larg, “në thellësitë e ujit me ngjyrë blu të thellë, nga ku mund të shihen dritat e Havanës nëse koha ishte e mirë”. “Askush nuk mund ta kapë tërësisht dhe përfundimisht thellësinë e mesazhit të kësaj novele, larminë e shprehjes në anglisht të autorit, estetikën e shprehjes letrare të vizionit të tij të madh, -thotë një prej filozofëve tanë të mirënjohur. -E shumëta që mund të pretendohet këtu është vetëm të provohet të kapen reflektimet e filozofisë së saj, të projektuara në "tokë", ashtu sikurse shohim ndonjëherë të projektuara mbi tokë, para nesh, nën këmbët tona, hijet e lëvizshme të reve të pakapshme që notojnë lart e larg në qiell. Ajo që mund të bëhet pra është vetëm të "përkthehet" disi kuptimi simbolik i novelës në jetën tonë të përditshme që përbën "truallin" mbi të cilin mund të ngrihen kuptimet tona të pjesshme dhe të kufizuara të mesazheve universale që na vijnë nga mjeshtrit e mëdhenj të penës.” Një ndër këto “kuptime” për ne është edhe filozofia e zhvillimit të turizmit bregdetar shqiptar edhe atje ku ai mendohet se vështirësitë nuk e justifikojnë një ndërmarrje të tillë për shkak të terrenit apo kapriçove të tjera natyrore.
Por mesazhet e kësaj novele nuk janë vetëm për ndërtimin e filozofisë qeverisëse lidhur me zhvillimin e turizmit shqiptar, po për çdo aspekt tjetër qeverisës në “truallin” e vështirësive që trashëguam nga e kaluara jonë. Qeveria “Berisha 1” na mbush me shpresë se “nuk do mbetet mal pa u shembur e kodër pa u rrafshuar” për ta bërë anë e mban Shqipërinë një “al mare” me valë nga një “the ocean” me dallgë të stërmëdha, që është sot. Por ndryshe nga ç’ndodh në fund me “peshkun gjigand” të “Plakut” të Heminguejit, “peshku gjigand” i arritjeve të qeverisë “Berisha” do të konsumohet nga qytetarët dhe jo nga “peshkaqenët” e majtë shqiptarë, që po rriten, tash së fundi, në rezervatin politik të Ramës, pavarësisht se gjatë “ndeshjes rrinë tinëzisht nën ujë dhe pastaj dalin në sipërfaqe duke kërkuar të shqyejnë llokmat e gjahut”. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit ’09 ne kemi dëgjuar jo më nga një gojë e vetme por nga shumë të tilla shprehje premtuese të politikanëve të majtë si; “rrugën Durrës-Kukës do të përfundojmë ne”, “legalizimet e ndërtimeve informale do t’i bëjmë ne”, “liberalizimin e vizave do ta bëjmë ne realitet”, etj., etj; ndërkohë që arritje të tilla ishin produkt eskluziv i qeverisë “Berisha”. Duke iu referuar sërish simbolikës së novelës “Plaku dhe deti”, peshkaqenët përshkruhen si “qënie që gjithmonë përfitojnë nga fitoret e të tjerëve”, duke u treguar “të pabesë jo vetëm me fituesin por edhe me humbsin”... Ata si forcë e rëndësishme politike ende nuk po kuptojnë atë që thotë Oscar Wilde se: “Mund të durohen fatkeqsitë që na shkaktohen nga jashtë; fundi i fundit ato janë aksidente, por të vuash për fajin tënd, është tortura më e hidhur e jetës”.
...