Krimet e rënda, Dritan Dajti dhe banda e tij, “burg pa afat”, edhe pse ndëshkimi është krejt i pamjaftueshëm
Akuza parashikon dënimin maksimal “burgim të përjetshëm”
Për dy orë me radhë në sallën e gjyqit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje masën “burg pa afat”, për të akuzuarin e masakrës së Durrësit, Dritan Dajti. Vrasësi Dajti, në bazë të kodit penal, rrezikon burgim të përjetshëm, pas akuzave voluminoze që prokurorët e çështjes kanë gati tashmë, për të dhe veprimtarinë e tij kriminale, ndër më të rrezikshmet në Ballkan.
TIRANE – “Burg pa afat” është masa e vendimit për të shumë kërkuarin dhe vrasësin Dritan Dajti.
Gjykata e Krimeve të Rënda lëshoi dje këtë masë, për të akuzuarin kryesor të masakrës së 7 gushtit ku mbetën të vrarë 4 policë, në zonën e plazhit të Durrësit. Hetimet do të kunkludojnë në dënimin e tij dhe të bandës, ku dënimi minimal në bazë të Kodit Penal është 20 vjet, ndërsa maksimali është burgim i përjetshëm, çka në sajë të analizave dhe akuzave faktike të prokurorëve të çështjes, që rëndojnë mbi Dajtin, bëjnë të mundur dënimin maksimal.
Masa është dhënë në praninë e të akuzuarit, i cili është sjellë posaçërisht, nga spitali i burgut, për të marrë pjesë në seancë. Autoambulanca mjekësore e spitalit e cila e ka sjellë Dajtin në Gjykatën e Krimeve të Rënda rreth orës 10 të paradites së djeshme, është shoqëruar nga 3 furgona policie të forcave RENEA, dhe përgjatë gjithë aksit ishin marrë masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo kontakt apo edhe mbi mundësitë e rrezikut nga mbetjet e tjera, bashkëpunëtorë të të shumë kërkuarit, për një sërë veprash të rënda penale dhe për masakrën e 7 gushtit.
Seanca për dhënien e sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe në mënyrë kategorike në të, nuk është lejuar të marrë pjesë asnjë nga të afërmit e tij familjarë.
Gjatë zhvillimit të seancës, vrasësi Dritan Dajti, nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen e rëndë dhe për jetët e 4 efektivave të policisë, por nuk ka nguruar të shtojë fjalizën banale “tentuan të më vrasin”, duke mos tentuar të përmendë viktimat që shkakto me aktin e tij mizor. Por, përkundrejt këtyre, kërkoi edhe kushte më të mira trajtimi, pavarësisht se i janë të garantuara të gjitha të drejtat themelore, për një të dënuar!
Ai është mbrojtur në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga avokati Remzi Ponari, i vendosur nga gjykata.
Gjithashtu paraditen e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda mori masën “arrest me burg” edhe për të akuzuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, Ergest Xhaxhi.
Xhaxhi, është kunati i Dajtit dhe në momentin e ngjarjes është ndodhur brenda makinës së tij. Mbi të bie akuza për “përkrahje të autorit”.
Pavarësisht masës së dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, avokati i këtij të fundit ka deklaruar se nuk është kompetencë e kësaj gjykate të shqyrtojë këtë vepër penale.
Ndërkaq, i dyshuari tjetër për ngjarjen e Durrësit, Elvis Karoli është lënë i lirë, dhe ndaj tij është dhënë masa “detyrim paraqitjeje” deri në konkluzione e para të grupit hetimor lidhur me pozicionin dhe rolin e tij si mbështetës dhe përkrahës i vrasësit të bandës së “Rrugës së Durrësit”, Dritan Dajti. Tashmë çështja e Karolit do të shqyrtohet në gjykatën e Tiranës. Mbi të, për momentin rëndon vetëm akuza për mbajtje municionesh pa leje. Dy të arrestuarit Karoli e Xhaxhi që ndodhen në qelitë e paraburgimit te 313-ës në Tiranë kanë dhënë hollësi në lidhje me ngjarjen se si ndodhi ajo, duke u përpjekur të mos marrin fajësi në krim, ndërsa vetë i akuzuari kryesor ka kundërshtuar t’u përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor.
Ai tashmë mbetet në dispozicion të hetimeve dhe në varësi të plotë të mbikëqyrjes policore, derisa të caktohet edhe masa e plotë e ndëshkimit të tij për ngjarjen e rëndë të vrasjes së 4 policëve në plazhin e Durrësit, që ishin në kërkim të tij.
Ndaj Dajtit, përveç kësaj mase, rëndojnë edhe tre dënime të tjera që ka marrë gjatë periudhës që ka qenë në arrati.
Hetimet do të konkludojnë në dënimin e tij ku ai minimal në bazë të Kodit Penal është 20 vjet, ndërsa maksimali është burgim i përjetshëm.
Akuza
Grupi i prokurorëve që kanë ndjekur hap pas hapi që nga dita e premte të gjithë procesin pas ngjarjes së rëndë, ku nga të shtënat e “beret”-ës së vrasësit Dritan Dajti, mbetën të vdekur në vend, katër efektiva të policisë së shtetit, të luftës kundër krimit, kërkuan dje në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dënim maksimal me masën “burgim të përjetshëm”, për të akuzuarin kryesor dhe bandën e tij.
Në sajë të hetimeve intensive, grupi hetimor i udhëhequr nga dy prokurorët e çështjes, Eugen Beci dhe Ardian Nezha, të cilët prezantuan dje në sallën e gjyqit të gjitha akuzat e mbledhura, arritën në konkluzionin se Dritan Dajti ka shtënë me armën e tij tip “beretë”, duke lënë të vdekur katër policët.
Prokurorët e çështjes, parashtruan dje para trupit gjykues të gjitha analizat e punës së tyre hetimore dhe propozuan dënim maksimal, “burgim të përjetshëm”, për Dritan Dajtin, si i akuzuari kryesor për ngjarjen e rëndë.
Burimet pranë këtij grupi hetimor bënë të ditur se ekspertiza ka zbuluar pikërisht këtë fakt se plumbat që kanë shkaktuar vdekjen e 4 oficerëve të policisë kanë dalë nga pistoleta tip “beret” që u sekuestrua ne vendin e ngjarjes dhe që i përkiste të shumë të kërkuarit, Dritan Dajti.
Drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy prokuroret e çështjes, Eugen Beci dhe Ardian Nezha si dhe ekspertë të policisë diskutuan dy ditë më parë për rreth 4 orë paraditen e djeshme rreth rezultateve të hetimit dhe kanë arritur në përfundimin e lartpërmendur.
Mbrojtja
Remzi Ponari, avokati i Dritan Dajtit bëri të ditur dje pas seancës së parë gjyqësore, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, se klienti i tij nuk pranoi asnjë nga akuzat e komunikuara dhe se fjalia e vetme e thënë ka qenë “tentuan të më vrasin”.
Avokati Ponari, i caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për mbrojtjen e Dritan Dajtit, shtoi se Dajti ka qëndruar i qetë gjatë gjithë kohës dhe nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë kundrejt çështjes në ngarkim të tij, përveç fjalisë klasike për të, “tentuan të më vrasin”, “por jo se vrau”. Ndonëse në masakrën e Durrësit mbetën të vdekur katër efektiva të policisë së shtetit, i akuzuari për ngjarjen në fjalë nuk e merr mundimin as t’u kërkojë falje familjeve të viktimave, kolegëve të të ndjerëve dhe shtetit në tërësi, për 4 jetët që i mori.
Megjithatë, me dengun e akuzave që rëndojnë mbi të dhe bandën e tij, Dritan Dajti nuk mund t’i shpëtojë kurrsesi dënimit maksimal. Dhe kësisoj merr fund edhe përpjekja e mediave të Edvinit, për ta paraqitur Dritan Dajtin nën një dritë pozitive dhe që gjithçka i paska kryer, për shkak të rrethanave dhe arrogancës së Policisë së Shtetit.
Në masakrën e Durrësit gjetën vdekjen katër punonjës të skuadrës operacionale; Fatos Xhani, drejtues i grupit, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, të cilët tentuan t’i hidhnin prangat njeriut më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Dritan Dajti jetonte në arrati që prej 17 nëntorit 2003, kur u arratis nga Gjykata e Tiranës.
Ai është dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj në vitin 1999. Gjithashtu, mbi të rëndojnë edhe disa vepra të tjera penale, pa përmendur tashmë, masakrën e rëndë të katër ditëve më parë në Durrës, e cila ka dënim më vete. Të gjitha këto, konfirmojnë në mënyrë formale, se Dritan Dajti nuk i shpëton dot dënimit me burgim të përjetshëm.