Shkërmoqen alibitë e mediave të Edvinit për krimin – analizat vertetojnë se killeri ishte Dritan Dajti
Marrin fund spekulimet e mediave të Edvinit, të cilat kishin nisur të prodhonin alibi për mospjesëmarrjen e Dritan Dajtit në shkëmbimin e zjarrit. Analizat balistike vertetojnë se të shtënat që sollën vrasjet e efektivave të policisë janë kryer nga pistoleta e killerit Dritan Dajti. Brenda 48 orëve pritet të vendoset masa e arrestit “burg pa afat” për ish-kreun e bandës së Rrugës së Durrësit dhe pjesëtarët e celulës së tij kriminale
TIRANE - Merr fund edhe përpjekja e mediave të Edvinit, për ta paraqitur Dritan Dajtin nën një dritë pozitive dhe që gjithçka i paska kryer për shkak të rrethanave dhe arrogancës së Policisë së Shtetit.
Dy prokurorët që po merren me hetimet pas masakrës mbi policinë, kanë arritur dje në versionin e tyre final se të katër policët janë vrarë nga Dritan Dajti, i cili atë ditë, kishte në posedim një pistoletë tip “beretë”. Burimet pranë këtij grupi hetimor bënë të ditur se ekspertiza ka zbuluar pikërisht këtë fakt se plumbat që kanë shkaktuar vdekjen e 4 oficerëve të policisë kanë dalë nga pistoleta tip “Beret” që u sekuestrua ne vendin e ngjarjes dhe që i përkiste të shumë të kërkuarit, Dritan Dajti.
Drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy prokuroret e çështjes, Eugen Beci dhe Ardian Nezha si dhe ekspertë të policisë kanë diskutuar përreth 4 orë paraditen e djeshme rreth rezultateve të deritanishme të hetimit dhe kanë arritur në përfundimin e lartpërmendur.
Po dje prokuroria dërgoi në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të arrestuarin Dritan Dajti si dhe bashkëpunëtorët e tij Ergest Xhaxhi dhe të arrestuarin e fundit Elvis Robert Karoli, dy të parët ndodhen në masa të rrepta sigurie në spitalin e burgut, ndërsa ky i fundit në arrest në burg tashmë.
Ndaj Dritan Dajtit, është formuluar akuza “vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” për “vrasje të katërfishtë me paramendim” dhe “falsifikim dokumentesh”. Vendimi, që pritet të jetë arrest me burg pa afat, pritet të merret nga Gjykata e Krimeve të Rënda, gjatë ditës së sotme.
Mesditën e premtes së kaluar në Durrës, i shumë kërkuari dhe një nga kriminelët më të rrezikshëm në Ballkan, Dritan Dajti, qëlloi për vdekje 4 efektiva të policisë së shtetit, gjatë tentative për prangosjen e tij. Katër komisarët ishin vënë në ndjekje të killerit Dajti dhe për prangosjen e tij gjithçka ka qenë në përputhje me ligjet e shtetit dhe se katër efektivët e policisë, nuk kanë qenë të përgatitur për një terren lufte, ashtu siç aludojnë në mënyrë të turpshme disa medieve të shkruara dhe elektronike. Terrenin e luftës e krijoi i shumë kërkuari Dajti dhe banda e tij, që lanë të vdekur në krye të detyrës 4 efektivët e policisë së shtetit.
Dajti kërkohej nga policia prej nëntorit të vitit 2003, kur ai u arratis nga salla e gjykatës së rrethit të Tiranës, pasi qëlloi disa herë në ajër me pistoletë.
Dritan Dajti gjykohej në atë kohë si autor i vrasjes së biznesmenit të ndërtimit, Agim Beqa, në vitin 1999.
Kreu i policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, mohon zërat se operacioni u dekonspirua
Policia është e mobilizuar si asnjëherë tjetër për të luftuar pa kompromis krimin
TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaron se operacioni i policisë për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti nuk është dekonspiruar. “Unë siguroj së pari, që s’duhet të bëj komente dhe do të sugjeroja që askush të mos të vraponte për të dhënë konkluzione dhe për të ndërtuar mekanizma imagjinarë. Është filluar hetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ne jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që kemi, të gjitha që kërkohen për të hetuar të plotë këtë çështje. Ky ishte një operacion policor i parapërgatitur, i palexuar. Është rasti i vetëm, që nuk kishte dekonspirim për kapjen dhe arrestimin e Dritan Dajtit. Por duhet të shtojmë, se ndonëse dora kriminale ishte përgatitur për të vrarë punonjësit e policisë, ndërsa punonjësit e policisë ishin përgatitur për ta arrestuar dhe jo për ta vrarë. Si çdo kriminel tjetër, ne kemi në bazë ligjin dhe jo antiligjin. Kështu që çdo pretendim që ngrihet absolutisht që bie poshtë”, deklaroi Prençi.
Prençi tha se, dora kriminale dhe gjithë grupi kriminal që vrau në krye të detyrës katër punonjësit e policisë është vënë para drejtësisë, dhe do të marrë dënimin maksimal. “Ngjarja e ndodhur ishte një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vitet e fundit. Katër policët tanë janë ndarë nga jeta nga dora kriminale. Dora kriminale që vrau policët në detyrë dhe gjithë grupit të tij kriminal është vendosur përpara drejtësisë”, tha Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se, padyshim që Policia e Shtetit e ka paguar shtrenjtë me jetët e shumë policëve të vrarë, por kjo besoj se është motivim për të gjithë punonjësit e policisë për ta përfunduar misionin, për të cilin ky institucion ekziston. “Ne kemi katër kolegë më pak në radhët e policë dhe kjo duhet të shërbejë si motivim i jashtëzakoshshëm për ne për ta kaluar këtë dhimbje, dhe për t’u mobilizuar si asnjëherë tjetër për të luftuar pa kompromis dhe me tolerancë zero krimin”, u shpreh Prençi.
Ai theksoi se Dajti ishte një nga kriminelët më të rrezikshëm dhe kishte një bandë të tij duke shtuar se masakra e së premtes do t’i motivojë punonjësit e policisë të luftojnë më tej krimin.