E Shtunë, 31 Tetor 2026

400 mijë shtetas duhet të pajisen me pasaportat e reja deri në fund të 2009-s

Ministria e Brendshme ripërsërit qendrimin se “pajisja me pasaporta biometrike është një standard-parakusht për liberalizimin në kohë të vizave”

Ministria e Brendshme ka vendosur që deri në fund të këtij viti 400 mijë shtetas shqiptarë duhet të jenë të pajisur me pasaporta biometrike. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni bën thirrje për të disatën herë të gjithë shqiptarëve, që të pajisen me pasaportat e reja, pasi ky është një standard për arritjen e objektivave që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë. “Të paktën 400 mijë shtetas shqiptarë duhet të pajisen me pasaportat biometrike deri në fund të vitit 2009”, u shpreh dje zëvendësministri Ferdinant Poni. Një shifër kjo që, siç theksoi Poni, është dhe një kusht i nevojshëm për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.
Me pasaporta biometrike janë pajisur deri më tani 80 mijë shtetas shqiptarë, që nga 25 marsi kur në Shqipëri nisi procesi i aplikimit.
Shifrat e aplikimit për pasaportat biometrike, sipas zëvendësministrit Poni janë të kënaqshme dhe numri i aplikimeve në ditë arrin në mbi 2 mijë.
Ministria e Brendshme ka deklaruar gjithashtu se brenda vitit 2010, pasaportat aktuale duhet domosdoshmërish të zëvendësohen me pasaportat e reja biometrike. “Brenda vitit 2010, rreth 2,3 milionë pasaportat aktuale për jashtë shtetit, duhet domosdoshmërish të zëvendësohen me pasaportat e reja biometrike, për të cilën kompania SAGEM garanton të gjitha kapacitetet”, tha Poni.
Më tej ai sqaron se një qytetar shqiptar që të pajiset me pasaportë biometrike, duhet të ketë aplikuar më parë për letërnjoftimin elektronik.
“Asnjë qytetar nuk do të përfitojë shërbime publike nëse nuk paraqitet me një nga këto dokumente në institucionet shtetërore”, shprehet Poni, duke e konsideruar një proces mjaft të rëndësishëm pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumentet e reja të identifikimit.
Poni nuk përjashtoi dhe mundësinë e marrjes së rrogës mujore nga punonjësit e administratës shtetërore, në rastin e mosmarrjes së një dokumenti elektronik.
“Qoftë edhe një dëshmi penaliteti nuk do të mund të merret pa paraqitur më parë një fotokopje të pasaportës së re biometrike, apo letërnjoftimit elektronik”, theksoi ai.
Pasaporta biometrike dhe kartat e identitetit janë mjete identifikimi tërësisht të kontrollueshme, me të gjitha parametrat dhe standardet dhe të një sigurie të lartë.
Këto dokumente, bëri me dije Poni, përmbajnë në vetvete informacionin e nevojshëm të identifikimit edhe nga autoritetet e vendeve të huaja.
Zëvendësimi i pasaportave të vjetra me ato të reja pritet të miratohet me një vendim qeverie.
“Projektligji që pritet të miratohet së shpejti do të nxjerrë jashtë funksionit pasaportat e kuqe, ndërsa do të ketë penalizime për çdo shtetas që nuk është i pajisur me dokumentet e reja”, tha Poni, duke nënvizuar se është në të mirën e çdo qytetari që të disponojnë një dokument të tillë.
Në 25 mars të këtij viti nisi aplikimi për pasaportat biometrike, fillimisht me Tiranën, për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjithë vendin, ndërkohë që shpërndarja e këtij dokumenti filloi në 1 maj 2009. Pasaporta biometrike me vlerë 6000 lekë, është e prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS).
Pasaporta biometrike, sikurse dhe karat e identitetit, janë pothuajse të pamundura për t’u falsifikuar. Pasaporta biometrike, dokument i  një sigurie tepër të lartë, ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve.
Në brendësi të saj, tha Poni, pasaporta biometrike ka një fotografi dixhitale që është e gdhendur në laserin ingrey. Faqet e vizave kanë elementë të lartë sigurie dhe shënime që mund të lexohen nëpërmjet rrezeve ultravioletë, ndërkohë që në brendësi të shqiponjës, brenda pasaportës, është portreti i Skënderbeut. Në çdo fletë të pasaportës ka një shirit sigurie, të shënuar në një mikrotekst

Deklaron Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti: “Aplikimi për pasaporta biometrike, po ecën me ritme të larta”

TIRANE - Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti, është shprehur dje se procesi i pajisjes së qytetarëve më karta identiteti ishte i suksesshëm dhe ndikoi në realizimin e mirë të zgjedhjeve.
Ai bëri me dije se interesi për karta vazhdon të jetë më ritme të larta. Sipas Telitit, lidhur me projektet e Drejtorisë së Gjendjes Civile, shumë shpejt do jetë gati regjistri i adresave, paralel me atë të certifikatave.
Duke folur për pajisjen me pasaporta biometrike, ai tha se aplikimi po ecën me ritme të larta. “Qytetarët shqiptarë po tregojnë interes, shifrat janë në rritje. Në fund të këtij viti do kemi qindra pasaporta biometrike të dhëna qytetarëve”, tha ai.
Teliti u shprehet pozitivisht në përfundimin e këtij procesi si një rrugë drejt Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›