Ndërkombëtarët përshëndesin vullnetin për ndryshim që paraqet kryebashkiaku i ri i Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvillon një sërë takimesh me ambasadorët e akredituar në kryeqytet, duke prezantuar projektet që synojnë përmirësimin e shpejtë të cilësisë së jetës në kryeqytet
Ambasadorët urojnë Lulzim Bashën për detyrën e kryebashkiakut të Tiranës. Dje, kryebashkiaku i kryeqytetit zhvilloi një sërë takimesh në zyrën e tij, ku paradite priti në një takim eurodeputetin austriak si dhe kryetarin e grupit të miqësisë Shqipëri-Austri në parlamentin austriak, Volfgang Grosruk.
Eurodeputeti Grosruk e uroi Bashën për fitoren në zgjedhjet e 8 majit dhe për detyrën e re. Gjithashtu gjatë takimit eurodeputeti austriak i shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me administratën e re të bashkisë më të madhe në vend për projekte të ndryshme, veçanërisht në ato për forcimin e kapaciteteve.
Nga ana e tij Basha e falënderoi deputetin e PE-së Grosruk për shprehjen e mbështetjes dhe e siguroi atë se do të jetë i hapur për çdo nismë bashkëpunimi.
Gjithashtu kryetari i Bashkisë e njohu eurodeputetin austriak me prioritetet e tij dhe të administratës që ai drejton për zhvillimin e Tiranës, për përmirësimin e cilësisë së jetës si dhe për zgjidhjen e problemeve imediate që ka qyteti.
Me ambasadoren e Gjermanisë
Pas takimit me eurodeputetin Grosruk kryebashkiaku i Tiranës zhvilloi një tjetër takim e me ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Karola Muller-Hotkemper.
Pasi e uroi për detyrën e re në krye të Tiranës, Hotkemper i shprehu Bashës mbështetjen e qeverisë gjermane për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës në projekte të përbashkëta. Më pas Basha e informoi ambasadoren gjermane në lidhje me prioritetet dhe gatishmërinë që ka Bashkia për t’u shërbyer qytetarëve në lidhje me shqetësimet që ata kanë. Gjithashtu Basha e njohu ambasadoren me projektet që ka Bashkia për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytet.
Duke e falënderuar për mbështetjen, kryebashkiaku i Tiranës e siguroi ambasadoren Hotkemper lidhur me gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me qeverinë gjermane në projekte të ndryshme. Sa i përket komunikimit me banorët e Tiranës dhe dëgjimit të shqetësimeve që ata kanë, kryebashkiaku Lulzim Basha ka njoftuar se dyert e Bashkisë do të jenë të hapura për ta ditën e premte. Ky do jetë takimi i dytë i radhës që Basha do të zhvillojë me kryeqytetasit pas takimit të parë për inaugurimin e detyrës së tij.
Me ambasadoren e Zvicrës
Mesditën e djeshme ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler, e uroi kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës për detyrën e tij.
Gjithashtu në takimin e djeshëm ajo i shprehu kryebashkiakut gatishmërinë për bashkëpunimin mes qeverisë së vendit të saj dhe Bashkisë së Tiranës në projekte të ndryshme të përbashkëta. Ndërsa kryetari i Bashkisë e informoi ambasadoren zvicerane mbi projektet për zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit dhe banorëve të tij si dhe me vizionin që ai ka për ta bërë Tiranën një qytet modern europian.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Basha e falënderoi ambasadoren, për mbështetjen dhe shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me qeverinë zvicerane, në fusha të ndryshme.