Përmbytjet, Prokuroria merr në pyetje Stojkun

Prokuroria e Shkodrës merr në pyetje Drejtorin e Përgjithshëm të KESH-it, Muharrem Stojkun. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se Stojku është paraqitur sot në Prokurori për të dhënë versionin e tij si dhe procedurat që janë ndjekur për hapjen e portave të digave të hidrocentralit. Kështu pas sekuestrimit të të gjithë dokumentacionit nga Prokuroria e Shkodrës në zyrat e KESH-it ka nisur edhe marrja në pyetje e personave që janë marrë me hapjen e digave të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qarkut të Shkodrës. Të njëjtat burime pohojnë se kanë nisur hetimet për shpërdorim detyre për të zbardhur arsyet që shkaktuan përmbytjet.
Por burimet tregojnë se nuk përjashtojnë as akuzën tjetër të shkatërrimit të pronës, ku nga përmbytjet u shkaktua një dëm i konsiderueshëm. Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore Muharrem Stojku ka treguar se menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë normale dhe se sipas tij KESH-i ka nisur të shkarkojë ujë nga HEC-et që në 27 dhjetor.