E Diel, 1 Nëntor 2026

Gedafi, Udhëheqësi i prekur nga revolucioni

Personazh i paparashikueshëm dhe brutal, ai tentoi të krijonte “Shtetet e Bashkuara të Afrikës”.

Gedafi nuk është i çmendur. Është thjesht një megaloman dhe i përqendruar te vetja e tij. Asgjë e re sipas skemës së Shekspirit. Gedafi doli nga shkretëtira, djali i vetëm i një çifti nomadësh të rajonit të Sirtës dhe i rritur në një shkollë bazuar te kurani. Ai do të ruajë nostalgjinë e fëmijërisë prej rëre. Nuk do të ketë besim te qytetet dhe qytetarët.

Projekti i tij ka si synim realizimin e një bashkimi arab, por ai është gjithashtu fetar. Alkoolin e ka të ndaluar. Vetëm germat arabe lejohen. Flamuri jeshil i Islamit, zëvendëson emblemën e kuqe, të zezë dhe jeshile të mbretërisë. I sigurt për këtë, Gedafi do të kundërshtojë gjithnjë vëllezërit muslimanë dhe salafistët e çdo lloji. Më pak konservator se ata, ai tenton të promovojë të drejtat e grave në një shoqëri shumë tradicionale, duke krijuar dhe një akademi ushtarake femrash. Por duhet pritur viti 1977 për formulimin e doktrinës së Gedafit, të shkruar fillimisht në një libër jeshil e më pas e përmbledhur në një neologji, e quajtur Djamahiriyya. Republika e masës, ku populli vetëdrejtohet nëpërmjet “komiteteve popullore”. Në të vërtetë këto komitete shumë shpejt u zëvendësuan nga komitetet revolucionare që ishin milicë të vërtetë sipas modelit sovjetik dhe që spiunoheshin nga Shërbimet Sekrete. Udhëheqësi mbretëroi në destabilitet të vazhdueshëm, duke u mbështetur vazhdimisht te komitetet popullore, komitetet revolucionare dhe te ushtria. Edhe mënyra e tij e mbijetesës është një art i madh. Ai pëson një komplot ushtarak çdo vit. Prandaj i lind ideja të drejtojë i vetëm? A është serioz kur thotë se Shekspiri ishte në të vërtetë me origjinë arabe, që quhej Cheikh Zuber? Pasuria e pafund e naftës në Libi i jep atij mundësinë që të financojë çdo lloj kauze. Nga IRA irlandeze te grupet palestineze radikale, duke kaluar dhe te Karlosi në Venezuelë, dhe grupe të tjera terroriste që herë pas here do të gjenin tek ai para dhe strehë. Udhëheqësi nuk heziton që të mbjellë dhe vetë terror. Më 1988 një Boeing i Pan Am shpërthen, si hakmarrje ndaj bombardimeve në vitin 1986 në Tripoli. Më 1989 është radha e një DC-10 të UTA-s, që duhet të dënoheshin për operacionet franceze në Çad. Gedafi i përzgjedh ata që sulmon e ata që përkrah: nuk i ndihmon islamistët e dhunshëm. Grupi islamik që donte të zhvillohej në Libi u shkri në vitin 1990.

E megjithatë Libia mbetet e izoluar. Ëndrrat e tij të mëdha për bashkimin me vendet e tjera arabe u shpërbënë me rënien e diktatorëve të tjerë të rajonit. Gedafi zbulon një tjetër mision: të unifikojë kontinentin afrikan. Pasi dështoi me marrjen në kontroll të Çadit në vitin 1987, që ishte një disfatë e madhe, Udhëheqësi do të tentojë si zakonisht të blejë influencën duke u dhënë lekë me thasë presidentëve. Dhe kur shefat e shteteve nuk i pëlqejnë, atëherë ai financon opozitën. Për të marrë Afrikën Perëndimore ai ndihmon kriminelët më të këqij, si Charles Taylor në Liberia dhe Fode Sanko në Sierra Leone.

Por, për fat të keq për të, afrikanët nuk duan ta emërojnë Gedafin presidentin e “Shteteve të Bashkuara të Afrikës”. Nëse ai ia doli mbanë të transformonte ish-organizatën e bashkimit afrikan në një bashkim afrikan modern, sipas modelit evropian, ai nuk do të bëhet kurrë udhëheqësi i saj. Dhe më pas do të marrë titullin “mbret i mbretërve të Afrikës”.

Vetëm me botën perëndimore, rivali i tij më i madh, Gedafi filloi të krijonte lidhje të mira. I sforcuar dhe i shtrënguar. I nënshtruar nga një embargo, Libia nuk kishte zgjedhje. Populli jeton në kushte të këqija dhe është i lodhur nga mediokriteti. Megjithatë, ai gjen gjëra për t’i qortuar amerikanët dhe europianët. Por ajo që ishte më e rëndësishmja për Libinë ashtu dhe për Perëndimin qe vendimi i tij për të hequr dorë nga programi bërthamor në vitin 2003. Lufta e Irakut e kishte bërë të kuptonte Gedafin se mund të përfundonte si Sadam Hyseini. Më pas embargoja u hoq dhe investitorët europianë u futën në Libi. Më pas Gedafi u angazhua në luftën kundër terrorizmit dhe emigracionit klandestin.

Por udhëheqësi ruajti anën e tij të errët, kapriçioze, manipulatore dhe përdorues i metodave mafioze. Ndërsa kontratat e mëdha mbetën thjesht projekte të mëdha. Rrethi i tij familjar pasurohej, ndërsa populli nuk njohu as zhvillimin e as lirinë.

Marrë me shkurtime nga “Le Figaro”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›