E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërmjetësim për konfliktet tregtare

Alternativa e zgjidhjes së konflikteve tregtare, nënshkruhet memorandum mirëkuptimi

Për të vlerësuar mundësitë e aplikimit të ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën tregtare, ICF, në bashkëpunim me AFCR, realizuan fillimisht në periudhën tetor 2007-maj 2008 një projekt të natyrës testuese në qytetet Tiranë, Berat dhe Korçë. Më pas, bazuar në rezultatin e arritur në fazën testuese me zyrat dhe studiot avokatore të qyteteve të përfshira në këtë projekt, IFC, në bashkëpunim me FZK, vendosi të nisë në Gjykatën e Rrethit Durrës një projekt mbi zgjidhjen alternative të konflikteve tregtare me ndërmjetësim. Ky ishte një projekt që synonte bashkëpunimin me të gjitha palët e interesuara në vend, sidomos me sistemin gjyqësor, për të siguruar një mbështetje të gjerë për ndërmjetësimin tregtar, rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit mbi ndërmjetësimin si në sektorin e drejtësisë, komunitetin e biznesit, qeverisjen qendrore dhe vendore, sistemin arsimor dhe shoqërinë civile, ngritjen e kapaciteteve të praktikuesve të ndërmjetësimit, të gjyqtarëve dhe të avokatëve.

Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, FZK dhe IFC, nënshkruan dhe një memorandum mirëkuptimi (MOU), i cili do të ndihmonte në krijimin e hapësirave të domosdoshme dhe inicimin e hapave të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ndërmjetësimit tregtar në Gjykatën e Rrethit Durrës.

Sot që aplikimi i alternativës së zgjidhjes së konflikteve tregtare ka dhënë rezultatet e para, kjo falë edhe kuadrit ligjor ekzistues, i cili është i mjaftueshëm për të motivuar gjyqtarët për të nxitur palët drejt zgjidhjes me pajtim të mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre, mund të themi se suksesi në radhë të parë është rrjedhojë e bashkëveprimit të mirë të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Durrës dhe qendrës së ndërmjetësimit të ngritur pranë kësaj gjykate. është e rëndësishme të theksohet se, mbi të gjitha, palët duhet të qartësohen prej gjykatës se çështja e tyre nuk ka dalë prej juridiksionit gjyqësor dhe se nëse ndërmjetësimi dështon, gjykimi vazhdon sërish. Por edhe nëse çështja zgjidhet me pajtim, përsëri palëve nuk u mohohet e drejta për të pasur një vendim gjyqësor që do të ligjërojë këtë zgjidhje me pajtim dhe njëkohësisht do shërbejë si titull ekzekutiv, i detyrueshëm për t’u zbatuar, në funksion të parimit të sigurisë juridike në shoqëri. Pasi gjykata i ka bindur palët që “të rrezikojnë”, duke ia referuar çështjen për zgjidhje me pajtim zyrës së ndërmjetësimit, atëherë ajo merr vendimin përkatës. Dështimi në këtë fazë i zgjidhjes së çështjes me pajtim nuk e privon gjykatën dhe palët nga rikthimi drejt kësaj alternative. Kështu, sipas Kodit të Procedurës Civile, parashikohet mundësia e gjykatës që, në çdo fazë të gjykimit të çështjes, të pezullojë gjykimin me kërkesë të të dyja palëve, me qëllim zgjidhjen e çështjes me pajtim. E rëndësishme është të theksohet që, nga njëra anë, palëve dhe përfaqësuesve, apo mbrojtësve të tyre, roli i të cilëve është po aq i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm edhe gjatë procedurës së ndërmjetësimit, t’i shpjegohen avantazhet e kësaj alternative; dhe nga ana tjetër gjykata të mbajë në vëmendje parashikimet e nenit 12 të ligjit për ndërmjetësimin.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›