Ndërmjetëson një takim Vokrri-Platini
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe ai i UEFA-s, Mishel Platini, do të jenë në të njëjtën sallë të mërkurën në mëngjes, atë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, por nuk është e sigurt nëse ata do të takohen më vete. Zyrtarisht jo se jo. Si Vokrri, ashtu edhe Platini do të jenë mysafirë në Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit, që mbahet të mërkurën. Në fakt, vizita e palëve (FFK e UEFA) në Shqipëri nis të martën. Axhenda e Platinisë, përsa kohë do të qëndrojë në Tiranë, tashmë është publikuar dhe aty nuk figuron ndonjë takim me krerët e FFK-së. Megjithatë, burime të gazetës brenda FSHF-së, nuk e përjashtojnë mundësinë e një takimi mes Vokrrit e Platinisë, mundësisht larg syrit të mediave. “Platini është mik i mirë i Armando Dukës dhe ky i fundit do të bëjë të pamundurën t’i vërë kokë për kokë Vokrrin e Platininë. Nëse nuk bëhet kjo zyrtarisht, atëherë ka gjasa të ndodhë në ambientet e tjera, jashtë atyre të Asamblesë, ndoshta edhe në darkën që FSHF-ja ka përgatitur për delegacionin e UEFA-s, ku një vend i është rezervuar edhe kreut të FFK-së, Vokrrit”, ka thënë burimi në kushte anonimiteti. Zyrtarisht as FFK-ja e as FSHF-ja nuk e kanë konfirmuar takimin. Vokrri thotë se i ka kërkuar FSHF-së t’ia sigurojë një takim me Platininë, por deri të hënën në mbrëmje, pak para nisjes për në Tiranë, nuk ka marrë ndonjë përgjigje. “Ne kemi dërguar një kërkesë në FSHF për takim me Platininë, por nuk kemi marrë ndonjë konfirmim deri më tani. Gjithsesi, do të jemi atje (në Tiranë)”, ka thënë Vokrri.