Nderohen Dëshmorët e Atdheut Lekë Qokaj dhe Besnik Hidrit
Pas homazhe eshtrat e tyre u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve
U zhvilluan sot homazhet për Besnik Hidri e Leka Qokaj, dy ish punonjës të Shërbimit Informativ, që më 28.02.1997 kanë rënë në krye të detyrës, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, në Vlorë. Personalitete të politikës, familjarë, të afërm, miq, ish kolegë, shokë zhvilluan homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut Besnik Hidri e Leka Qokaj, ceremonial i cili u organizua në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.
Homazhe kanë zhvilluar Kryeministri Berisha, ministri i Brendshëm Flamur Noka, si dhe përfaqësues të politikës.
“Qytetarët përulen me nderim përballë dy shërbëtorëve të shtetit të cilët ranë në krye të detyrës në mbrojtje të institucioneve.
Rebelimi i 97 i kushtoi vendit jetë të shumta njerëzish, solli në pushtet me dhunë ata që nuk e meritonin. Në rrafshin politik rebelimi komunist u mbyll në mënyrë më dinjitoze, pasi bëri që ata që erdhën me dhunë të largohen me votë. Ata ranë si heronj dhe do të marin nderimet e duhura. Në tërësi ndonjëherë vlerësimet dhe korrigjimet dhe mund të vonojnë por ato nuk harojnë”, vuri në dukje kreu i qeverisë, pas homazheve në nderim të dy Dëshmorëve të Atdheut.
Pas këtij ceremoniali eshtrat e tyre u vendosen në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Me dekretin Nr. 4152, datë 25.02.2004 të Presidentit të Republikës, Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë dekoruar me “Medaljen e Shqiponjës së Arte” (pas vdekjes) me motivacionin: ”Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”.
Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë shpallur dëshmorë të Atdheut me vendim Nr. 62, datë 29.06.2006 të Komisionit të Posaçëm Qeveritar.