E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dixhitale, faktor i punësimit dhe i rritjes ekonomike të vendit

28-02-2013 / Gazeta 55

Qeveria miraton Planin Kombëtar të Frekuencave – i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar “4G”
 
Këshilli i Ministrave miratoi dje, në mbledhjen e tij të radhës, Planin Kombëtar të Frekuencave.
Duke i cilësuar frekuencat si autostrada të komunikimit, me një rëndësi të jashtëzakonshme në çdo vend dhe për çdo kohë, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka ndjekur me një dinamizëm të vazhdueshëm problemin e frekuencave, duke përshtatur në kohën më të shpejtë, të mundshme të gjitha direktivat e ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) dhe direktivat europiane. Kryeministri bëri të ditur se plani i ri fillon përdorimin me efektivitet të spektrit të frekuencave, shmangien e interferencave në shfrytëzimin e tij, përcaktimin e shërbimeve të reja, si dhe vendosjen e standardeve europiane.
Si një risi për qytetarët shqiptarë vjen fakti se miratimi i Planit të ri të Frekuencave i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të 4 G, duke i mundësuar atyre të marrin në celularin personal, internet super të shpejtë dhe super të gjerë me 100 megabit, si dhe duke ofruar shërbimet më të shkëlqyera të kësaj fushe me çmime edhe më të lira.
Kryeministri theksoi se revolucioni i shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e telekomunikacionit, i bëri shqiptarët të komunikojnë njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara. Por, kryeministri garantoi se me serinë e dixhitalizimeve më të fundit si m-tax dhe e-punësim, si dhe një seri të tjera inaugurimesh, pjesë e axhendës dixhitale të vendit, Shqipëria do të ngjitet në nivelet më të larta të përdorimit të teknologjisë së informacionit. “Ky revolucion në fushën e telekomunikacionit i bëri shqiptarët të komunikojnë  njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara. Ishte e dhimbshme koha kur qytetarët e këtij vendi paguanin tre herë më shumë se qytetarët austriakë. Natyrisht qeveria dhe kryeministri u detyrua të bëjë avokatin e qytetarëve, siç është në moralin e të zgjedhurve, jo se unë nuk kisha as edhe ndjesinë më të vogël, përveçse miqësore ndaj tregut dhe këtyre kompanive, por e vërteta është se çmimet i kishin çuar shqiptarët, i kishin pasuruar fjalorin e tyre me shprehje të llojit ‘më bëj një zile’, ose ‘më bëj një cërr-cërr’. Kjo më lëndonte. Fjalori duhet pasuruar me gjëra pozitive. U sulmova në atë kohë në mënyrë të pandershme nga opozita, e cila në vend që të bënte avokatinë  e qytetarëve, sulmonte kryeministrin se mbronte interesat publike të tyre. Sot, kemi një situatë tërësisht tjetër dhe unë përgëzoj kompanitë celulare, por në radhë të parë përgëzoj të gjithë ata, të cilët me reformat e ndërmarra në këtë sektor bënë të mundur që shqiptarët të kenë në varësi nga mundësitë e tyre, një telekomunikacion të pakufizueshëm. Nuk e ndërpret më bisedën në mes dhe kjo për shkak të ofertave nga më të ndryshmet qe ofrohen. Kjo ka bërë të mundur rritjen e përdorimit të internetit nga 4,8 për qind në mbi 60 për qind dhe unë ju garantoj se me serinë e dixhitalizimeve të fundit m-tax dhe e-punësim dhe një seri të tjera inaugurimesh që kemi bërë dhe po bëjmë, Shqipëria do të ngjitet në nivelet më të larta të përdorimit të teknologjisë së informacionit. Shoqëria dixhitale është dhe do të bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Ndërkohë ajo ju jep qytetarëve shqiptarë më të çmuarën e të gjitha gjërave të çmuara, që është koha. Kështu që ne mbetemi të vendosur që në moshën dixhitale të mos ecim, por të vrapojmë në mënyrë që të ndjekim horizontin e saj që ecën më shpejt se çdo horizont tjetër”, theksoi kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›