Nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
(E plotësuar)Senati i Universitetit AAB-Riinvest ka nderuar presidentin e Hondurasit, Porforio Lobo Sosa me titullin “Doctor Honoris Causa”, për merita të veçanta në zhvillimin e dijes, promovimin e të arriturave kulturore e shkencore dhe të humanizmit, për kontributin në forcimin e paqes dhe mirëkuptimit midis popujve, e në veçanti për zhvillimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Hondurasit.
Ndarjen e këtij titulli për presidentin e Hondurasit e ka bërë të shtunën një ceremoni solemne rektori i Universitetit AAB-Riinvest, Lulëzim Tafaj.
Ai me këtë rast ka thënë se është nder për këtë universitet ndarja e titullit “Doctor Honoris Causa” për presidentin Porforio Lobo Sosa, i cili po vazhdon lobimin e tij për njohjen e Kosovës nga vendet tjera të botës.
Nga ana e tij, presidenti Sosa ka thënë se ndihet i lumtur dhe shumë krenar për këtë çmim të dhënë nga Universitetit AAB-Riinvest.
Sosa: Kosova dhe Hondurasi me ideale të njëjta
Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë se drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, pasi që e drejta për pavarësi është e pacenueshme.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të shtunën në një takim presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, të cilin e njohu me procesin e dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështje teknike, punën në Parlament dhe zhvillime tjera.
Duke përkujtuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon, kryekuvendari Krasniqi ka thënë se Kosova tashmë ka krijuar një infrastrukturë ligjore, si bazë e zhvillimit të gjithëmbarshëm, duke siguruar njëkohësisht kushte edhe për investime të huaja.
Krasniqi e njoftoi presidentin e Hondurasit edhe për strukturën e Kuvendit të Kosovës, si dhe për pjesëmarrjen e komuniteteve në parlament.
“Kemi dëshirë që edhe me Kuvendin e Hondurasit të kemi marrëdhënie sa më të mira, sepse kemi nevojë për përvojat parlamentare nga ky shtet mik”, ka thënë Krasniqi.
Nga ana e tij, presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e drejtë legjitime, të cilën nuk mund ta mohojë askush, andaj një gjë të tillë duhet ta kuptojë edhe Serbia.
“Shteti i Serbisë do ta kuptojë se drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, ashtu sikurse edhe shteteve të tjera. E drejta për pavarësi është e pacenueshme. Ne jemi në distancë, por kemi të njëjtat ideale”, theksoi presidenti i Hondurasit.
Për më tepër, presidenti Sosa premtoi angazhimin e tij që çështjen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj ta diskutojë edhe me shtetet tjera të Amerikës Qendrore, duke shprehur optimizmin se edhe shumë shtete të tjera të këtij kontinenti do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Sosa arriti sot paradite në Prishtinë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është pritur nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ai ka zhvilluar takime me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi.
Gjatë ditës, kreu i shtetit të Hondurasit do të nderohet nga Universiteti AAB-Riinvest me titullin “Doktor Honoris Causa”.
Kjo është hera e parë që një president i Amerikës Qendrore viziton një shtet të Ballkanit Perëndimor. Hondurasi ka njohur pavarësinë e Kosovës vitin e kaluar.
Hondurasi lobon për njohjen e Kosovës
Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa ka deklaruar të shtunën në Prishtinë se vendi i tij do ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj si shtet i lirë, sovran dhe demokratik, dhe ka premtuar se do të angazhohet në mënyrë që edhe vendet tjera të Amerikës Qendrore ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.
Ai këto komente i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me ç’rast rikonfirmoi se Hondurasi njeh Kosovën si shtet të pavarur, pasi që kjo është e drejtë themelore e të drejtave të njeriut.
“Ne si një shtet i Amerikës Qendrore do të kontribuojmë që në të ardhmen shtetet e tjera të njohin pavarësinë dhe unë do të kontribuoj që vendet e tjera të Amerikës Qendrore ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Sosa.
Ai duke ftuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të vizitojnë Hondurasin, ka thënë se vendi i tij do të jetë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj si shtet sovran dhe demokratik.
“Hondurasi do të jetë në anën e juaj për të ecur përpara dhe vendi juaj të jetë ashtu siç duhet të jetë, një shtet i lirë, sovran dhe demokratik”, ka thënë ai.
Ndërsa, presidentja Jahjaga shprehu falënderimet e saj për presidentin e Hondurasit për lobimin dhe njohjen e Kosovës duke e njoftuar për synimet e vendit tonë që të jetë një vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-së.
Jahjaga po ashtu tha se kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Unë po ashtu e njoftova presidentin e Republikës së Hondurasit se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe çështjet e aranzhimeve të brendshme janë çështje të panegociuara, kurse procesi i dialogut që është duke vazhduar është një proces që do të mundëson lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, do të mundësojë reaksionin e marrëdhënieve të të dyja vendeve tona dhe po ashtu do të mundësojë që të gjejë zgjidhje për çështje praktike”, ka thënë Jahjaga.
Përveç, kësaj, sipas presidentes Jahjaga në këtë takim kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shtet-ndërtimit dhe në avancimin e proceseve demokratike.
Presidenti Sosa arriti sot paradite në Prishtinë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është pritur nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas të cilit nuk ka pasur prononcime për media.
Gjatë ditës, kreu i shtetit të Hondurasit do të zhvillojë takime edhe me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, ndërsa Universiteti AAB-Riinvest do t’i ndajë titullin “Doktor Honoris Causa”.
Kjo është hera e parë që një president i Amerikës Qendrore viziton një shtet të Ballkanit Perëndimor. Hondurasi ka njohur pavarësinë e Kosovës vitin e kaluar.
Presidenti honduras po qëndron në Prishtinë
Presidenti i Republikës së Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, dhe disa përfaqësues të institucioneve hondurase kanë arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare.
Delegacioni honduras është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga disa përfaqësues të qeverisë së Kosovës në krye të të cilëve ishte zëvendëskryeministri i parë i vendit, Behgjet Pacolli.
Sosa u takua dhe me homologen e tij kosovare, presidenten, Atifete Jahjaga, ndërsa pas takimit me të ka mbajtur një konferencë për media.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidenti i Hondurasit pritet të nderohet gjithashtu me çmimin “Doctor Honoris Causa”.