E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpriten bisedimet BS-Kinë, Lo Shih-Kao sulmon nga Tirana

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 16 korrik 1963 – Bisedimet ideologjike në dukje joproduktive kino-sovjetike u ndërprenë sërish ditën e sotme, por burimet ruse thanë se një veprim i tillë do të jetë i përkohshëm, sepse diskutimet do të vazhdojnë sërish ditën e mërkurë. Ndërprerja e këtyre negociatave ishte e papritur, megjithatë sovjetikët thanë se pasi dy delegacionet u takuan ditën e hënë, një tjetër takim ishte lënë për tu zhvilluar ditën e sotme. Ndërkohë, dy gjigantët komunistë vazhduan propagandën e tyre për të fituar mbështetjen e pozicioneve të tyre respektive, duke dërguar një valë të re mesazhesh në të gjitha vendet e botës komuniste. Më poshtë po përmendim disa nga këto zhvillime:

Moska

Gazetat sovjetike botuan një sërë artikujsh ku shfaqnin haptazi mbështetjen për qëndrimin e Kremlinit. Me intervista njerëzish të thjeshtë në rrugë dhe me letrat për botuesit, punëtorët, ushtarët, punonjësit e administratës dhe qytetarët sovjetikë nga të gjitha fushat e jetës, përcollën një mbështetje të “njëzëshme” ndaj pozicionit të vendit të tyre. Të tjerë artikuj vazhduan të sulmonin kinezët se kishin minuar unitetin komunist, i cili deri tani sipas tyre kishte qenë i bashkuar për të sulmuar vetëm fuqitë kapitaliste perëndimore.

Pekini

Kina Komuniste paralajmëroi Bashkimin Sovjetik se ndihma ruse ndaj Indisë është vetëm një ndihmë që i shkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Uashingtoni do të ishte thjesht shumë i kënaqur nëse dikush do të ndihmonte Indinë për të kundërshtuar komunizmin dhe popullin e saj, duke i lehtësuar kështu një barrë të madhe Amerikës”, - shkruante gazeta “Peking People Daily” në një artikull të transmetuar nga Agjencia e Re Kineze e lajmeve dhe e monitoruar në Hong-Kong. Pekini la të kuptohej, se duke ndihmuar Indinë, sovjetikët po u bashkoheshin “të gjithë llojeve të mostrave dhe krijesave anormale të botës” kundër Kinës. Ai tha se ndihma sovjetike për Indinë gjatë pushtimit kinez vjeshtën e shkuar ishte më e madhe dhe se ndihma totale e dhënë nga të gjitha vendet e Perëndimit. Agjencia transmetoi një sërë artikujsh dhe editorialesh në gazetat e bllokut sovjetik këtë javë, ku thoshte se “aty ishin bërë sulmet dhe shpifjet më të mëdha kundër Partisë Komuniste Kineze”. Për të ilustruar shembullin e mësipërm, agjencia e lajmeve veçoi gazetën “The New York Times”, “The Wall Street Journal” dhe reporterin Xhozef Eslop, si përfaqësues të “shtypit borgjez amerikan”, i cili “ka botuar kohët e fundit një seri komentesh që nxisnin Bashkimin Sovjetik kundër Kinës dhe shpresat për një prishje të negociatave mes partive komuniste mbështetëse të Kinës dhe atyre sovjetike.

Çekosllovakia

Gazeta e Partisë Komuniste Çekosllovake, “Rude Pravo”, shkruante se Çekosllovakia i kishte ndjerë efektet e kufizimeve ekonomike dhe bashkëpunimeve të tjera të Kinës së Kuqe me vendet e tjera komuniste. Në një editorial që fliste për shkëmbimet e fundit të korrespondencës mes Rusisë dhe Kinës, gazeta tha se Partia Komuniste Çekosllovake ishte “shqetësuar nga pozicionet jokorrekte” të kinezëve për problemet e luftës, paqes dhe bashkekzistencës paqësore. “Është e pakuptueshme se si shokët kinezë mund kështu të shtrembërojnë kuptimin e luftës për paqe”, - shkruante “Rude Pravo”. Populli çekosllovak ishte “prekur” nga sulmet kineze ndaj Rusisë dhe i kishte marrë ato si “fyerje të drejtuara kundër nesh”, sepse Bashkimi Sovjetik është “shoku ynë më i mirë”, - vazhdonte më tej editoriali. “Nëse vështirësitë sa do vinë e shtohen në marrëdhëniet mes vendeve socialiste, ky do të jetë faji i organeve kompetente të Republikës Popullore të Kinës”, - përfundonte editoriali i “Rude Pravo”-s.

Shqipëria

Lo Shih-Kao, ambasadori i Kinës në Shqipëri, tha gjatë një pritjeje organizuar të hënën në Tiranë se revizionistët modernë “i ishin vënë kundër me tërbim si një tufan Kinës dhe të gjitha partive marksistë-leniniste”, - lajmëronte “Agjencia e Re Kineze” e lajmeve. Ambasadori tha se ky tërbim nuk mund ti kalonte vështirësitë gjithnjë e në rritje të revizionistëve, por as do të ishte e mundur për ta që të shpëtonin veten nga fundi i tyre i paevitueshëm. “Si të gjithë reaksionarët, ata do të ngrinin në mënyrë të pashmangshme një shkëmb, për të thyer këmbët e tyre”, - tha Lo Shih-Kao.

Rumania

Gazetat rumune raportuan publikimin e letrave të hapura të Partive Komuniste respektive Sovjetike dhe Kineze në Rusi. Agjencia rumune e lajmeve “Axherpres” tha se tekstet e plota të dy letrave për debatin ideologjik komunist do të botoheshin shumë shpejt në “Scentea”, gazetën zyrtare të Partisë Punëtore të Rumanisë. Më parë, Rumania kishte botuar fragmente të letrës kineze.

Letra e Hapur e Moskës

... Në prill 1960, shokët kinezë shfaqën hapur dallimet e tyre me lëvizjen komuniste, duke botuar një kolanë të gjatë artikujsh nën titullin “Jetë të gjatë leninizmit!” Këto shkrime, bazuar në shtrembërime, kishin shkurtuar dhe interpretuar në mënyrë të pasaktë punët e mirënjohura të Leninit. Ato përmbanin sugjerime, që në të vërtetë ishin drejtuar kundër themelimit të deklaratës së Takimit të Moskës 1957, e cila u firmos në emër të Partisë Komuniste Kineze nga shoku Mao Ce Dun, kundër politikës së bashkekzistencës paqësore të shteteve me sisteme të ndryshme sociale, kundër mundësisë së parandalimit të një lufte botërore në kohën e ditëve të sotme dhe kundër përdorimit si të rrugës paqësore ashtu edhe të asaj armiqësore për zhvillimin e revolucioneve socialiste.

Për Shqipërinë dhe Jugosllavinë

Shumica dërrmuese e partive komuniste dhe punëtore, e dënuan vendosmërisht veprimtarinë antileniniste të udhëheqësve shqiptarë. Udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze morën krejtësisht një qëndrim tjetër dhe bënë gjithçka për të përdorur udhëheqësit shqiptarë si megafonë të tyre. Tani dihet që shokët kinezë i kanë shtyrë ata haptazi në rrugën e luftës kundër Bashkimit Sovjetik, vendeve të tjera socialiste dhe partive vëllazërore.... Komunistët sovjetikë e dinë se dallimet për një sërë çështjesh ideologjike vazhdojnë në mbeten mes Partisë Komuniste Sovjetike dhe Lidhjes (Partisë) Komuniste Jugosllave... por do të ishte gabim po ta “përjashtonin” Jugosllavinë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve nga socializmi, - për ta copëtuar atë nga vendet socialiste dhe për ta shtyrë në kampin e imperializmit, ashtu siç po bëjnë udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze. Kjo është pikërisht ajo çka dëshirojnë imperialistët.

Për takimin aktual sovjeto-kinez

Një takim i delegacioneve të Partisë Komuniste Sovjetike dhe Partisë Komuniste Kineze po mbahet në Moskë në këto momente. Fatkeqësisht, përfaqësuesit e Partisë Komuniste Kineze vazhdojnë ta përkeqësojnë situatën. Pavarësisht kësaj, delegacioni i Partisë Komuniste Sovjetike shfaq durimin maksimal dhe gjakftohtësinë, duke punuar për arritjen e rezultateve të kënaqshme nga negociatat. E ardhmja e afërt do të tregojë nëse shokët kinezë janë dakord që ti ndërtojnë marrëdhëniet në bazë të asaj çka na bashkon dhe jo na ndan, mbi bazë të principeve të marksizëm-leninizmit.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›