E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta të dhunshme në Athinë, përleshje me policinë

Autori i Lajmit: Redaksia

Përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në zemër të Athinës. Dhuna nisi pas një proteste paqësore kundër masave të qeverisë Papandreu, të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor. Mijëra vetë merrnin pjesë në protestën paqësore, por më pas rreth 200 të rinj nisën të hidhnin mjete të forta, si gurë e shkopinj ndaj policisë. Përleshjet u ndezën para Parlamentit grek dhe më pas para Universitetit të Athinës. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Dhjetëra vetë janë arrestuar, ndërkohë që nuk flitet për të plagosur. Qendra e Athinës është kthyer tashmë në arenë përleshjesh të shpeshta në dy vitet e fundit, që pas vrasjes së një adoleshenti nga policia në dhjetor 2008. Kriza e fundit e deficitit buxhetor ka rikthyer dhunën në Greqi. Protesta e djeshme nisi në kuadrin e grevës 24-orëshe të punonjësve të sektorit publik e privat që kundërshton masat e qeverisë Papandreu për të rritur taksat dhe për të ulur mjaft përfitime ekonomike për punonjësit. Një grup protestuesish prej 30 vetësh që mbanin maska në fytyrë dhe parulla të ndryshme antiqeveritare kanë sulmuar një postë policore jashtë Parlamentit grek. Më pas policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Një bombë artizanale u hodh ndaj policisë. Protestat u zhvendosen para Universitetit të kryeqytetit, ku u arrestuan dhjetëra vetë. Rreth 1500 policë u dislokuan në Athinë për të ndalur revoltat e protestuesve në ditën e grevës kombëtare 24-orëshe. Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik dhe privat protestuan kundër masave ekonomike të Papandreut, të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›