E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: “Ja faktet e manipulimeve në Ruzhdie”

Autori i Lajmit: S.T

Partia Socialiste ka publikuar dje disa të dhëna, të cilat, sipas saj, vërtetojnë atë që ka ndodhur në Ruzhdie më 28 qershor. Përmes një deklarate për mediat, deputeti socialist Namik Dokle theksoi se janë dhjetëra persona të cilët, edhe pse nuk kanë pasur karta apo pasaporta, figurojnë sikur kanë votuar. “Në Ruzhdie 94 persona, që kurrë nuk kanë pasur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë. Po kështu, votuan edhe qindra e qindra të tjerë në Shkodër, Kukës, Kamëz, Elbasan, Durrës etj. 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti, rezultojnë se kanë votuar me kartë identiteti. Të tillë pati me mijëra në gjithë vendin. 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që skishin ardhur fare në Shqipëri. Kështu ndodhi edhe në Krujë, Paskuqan, Lezhë, Laç, Shijak, Librazhd etj. Komisionerët e PD-së dhe manipulatorë të tjerë të vullnetit të lirë të zgjedhësve, falsifikuan 376 firma dhe mbushën kutitë me vota. Po kështu ndodhi edhe në Dibër, Mirditë, Bathore, Kavajë, Malësi e Madhe, Devoll etj, duke vjedhur kështu mijëra e mijëra vota. U bënë falsifikime në regjistrat e votimit, që ndryshojnë nga regjistri civil dhe i shpërndanë votuesit e një familjeje në dy tre dhe deri katër qendra votimi. Kështu ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë”,- renditi Dokle. Ai shtoi se 18 marsi, dita kur Parlamenti do të shqyrtojë dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për mazhorancën që ti hapë rrugë demokracisë evropiane në Shqipëri, është shansi i fundit që të dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hapë rrugën e transparencës. “Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e tyre demokratik për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve, për mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të votës së lirë”, - përfundoi ai.

PS: “Berisha i varfëroi shqiptarët”

Partia Socialiste reagon pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha, i cili deklaroi dy ditë më parë se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë. Sipas deputetes socialiste Mimi Kodheli, me rritjen e çmimeve, Berisha i varfëroi shqiptarët. “Hera e fundit që Sali Berisha rriti rrogat e pensionet, qe para zgjedhjeve të 28 Qershorit, dhe të gjithë ne jemi sot dëshmitarë të mënyrës spektakolare sesi u mbajt ky premtim: rritja modeste u zerua nga rritja skandaloze e çmimit të energjisë, nga rritja e papërballueshme e çmimit të ushqimeve, nga shtrenjtimi i shërbimit shëndetësor etj, etj, etj”, - tha ajo. Sipas Kodhelit, Kryeministri i Ruzhdies deklaroi se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë për sa kohë shqiptarët i japin atij votën, por Sali Berisha me një dorë të jep dhe me të dyja duart të merr. “Rritja e pagave dhe pensioneve me 10%, jo vetëm që është thuajse e pamundur të realizohet pa dëmtuar edhe më tej ekuilibrat, tashmë të cenuara rëndë, makroekonomikë të vendit, por ajo është edhe e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të familjeve shqiptare në këtë situatë të shtrenjtimit të gjithanshëm të jetesës për të cilën i detyrohemi zotit Berisha”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›