E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret me thikë të riun pas sharjeve në Facebook

 
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Kodër-Kamzë, ku 19-vjeçari Bukurosh Muçeku ka qëlluar me thikë ndaj të riut, pasi vëllai i tij e kishte sharë atë gjatë disa komunikimeve në internet  
 
 
Artan CENA
TIRANë - Krimi godet sërish në Tiranë. Ditën e djeshme, një 22-vjeçar ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, si pasojë e goditjeve me thikë të marra nga një i ri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kodër Kamzë rreth orës 18:00 të mbrëmjes. Burime të policisë thanë se viktima është Robert Dishmema, 22 vjeç, ndërkohë që autor i dyshuar i krimit mësohet të jetë 19-vjeçari Bukurosh Muçeku, i cili është arrestuar pak minuta pas ngjarjes. Gjithçka ka ndodhur në një kafe-internet në Kodër Kamzë, në afërsi të Universitetit Bujqësor. Siç bëhet e ditur nga burime policore, vrasja ka ardhur pas një sherri mes dy të rinjve, pasi vëllai i viktimës dyshohet se ka sharë në mënyrë të vazhdueshme autorin, gjatë komunikimeve të tyre në rrjetin social “Facebook”. Në momentin e ngjarjes ka pasur dëshmitarë të shumtë, të cilët kanë ndihmuar edhe policinë në identifikimin e autorit. Fillimit viktima kishte marrë disa goditje me thikë në pjesën e stomakut dhe në shpinë, duke u transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Por edhe aty mjekët nuk kanë pasur mundësi që ta shpëtojnë, duke sjellë edhe vdekjen e Dishmemës.
Policia
Kanë qenë bluzat e bardha, ato që njoftuan menjëherë policinë dhe në drejtim të vendit të ngjarjes fillimisht janë nisur efektivët e postës së policisë që ndodhet tek Universiteti Bujqësor dhe më pas dhe ato të Komisariatit Nr. 5 dhe specialistët e Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka nisur hetimet dhe ka bërë zbardhjen e shpejtë të ngjarjes. Identifikimi i menjëhershëm i të dyshuarit ka bërë që të ngrihen postblloqe të shumta dhe vetëm pak minuta më pas është bërë ndalimi i tij. Policia mësohet se ka marrë dëshmitë e personave që ndodheshin në internet-kafenë dhe ka zbardhur të gjithë ngjarjen e ndodhur. Sipas të dhënave, vëllai i viktimës dhe autori kishin pasur edhe më parë përplasje, pasi siç është bërë e ditur nga të dhënat e policisë, vëllai i 22-vjeçarit dyshohet se ka sharë disa herë autorin e krimit gjatë komunikimeve në “Facebook”. Gjatë këtyre përplasjeve duket se ata nuk kishin zgjidhur asgjë dhe sherri ishte bërë më i ashpër, për të ardhur te dita e djeshme.
Dëshmitë
Sipas dëshmive të mbledhura nga uniformat blu, ka rezultuar se autori i dyshuar i krimit u ka bërë vazhdimisht të njohurve të tij, se vëllai i viktimës e ka sharë atë disa herë. Kështu, mëngjesin e djeshëm, 22-vjeçari dhe 19-vjeçari, që dyshohet se është dhe autori i krimit, janë takuar rastësisht dhe mes tyre ka pasur një sherr me shqelma dhe grushte. Por menjëherë kanë ndërhyrë persona më të rritur dhe i kanë ndarë. Më pas, ata janë takuar në qendrën e internetit dhe ka nisur i njëjti sherr. Ata kanë dalë jashtë, duke u zënë dhe i janë drejtuar një rrugice. Personat e pranishëm kanë tentuar t’i ndajnë, por Muçeku ka nxjerrë thikën dhe ka goditur 22-vjeçarin disa herë. Policia, pasi ka zbardhur krimin, ka kontaktuar edhe me familjen e të riut, i cili ishte shpallur në kërkim dhe uniformat blu kishin rrethuar gjithë zonën. Policia i ka kërkuar familjes të bindte adoleshentin që të vetëdorëzohej. Dy orë më vonë, forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim edhe me sektorin kundër vrasjeve, kanë mundur të kryejnë arrestimin e tij. Ai ka treguar edhe për armën e krimit dhe është shoqëruar në ambientet e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
 
 
Vrasja e atletit, i dyshuari sot para gjykatës
TIRANë - I dyshuari për vrasjen e ndodhur në Kamzë, ku humbi jetën një atlet, Avni Gasa, do të përballet ditën e sotme me togat e zeza të Gjykatës së Tiranës. Burime nga policia thanë se, pas marrjes së dëshmisë së tij dhe komunikimit të akuzës nga ana e prokurorisë, 52-vjeçari do të dalë sot para gjykatës, ku do të marrë edhe masën e sigurisë. Do të jetë gjykata që do të vendosë nëse provat e grumbulluar nga policia dhe prokuroria janë të mjaftueshme që Gasa të vihet nën akuzë për vrasjes e ish-atletit Hasan Rakipi. 52 vjeçari, që është dhe pronari i lokalit ku Rakipi piu kafen e fundit u ndalua nga policia, pasi gjatë një kontrolli të bërë në banesën e tij u gjetën një sasi fishekësh që ai i mbante pa leje. Ndërkohë, burime të policisë thanë se ka pasur pak kontradikta në deklaratat e dhëna nga Gasa në momentin e marrjes së dëshmisë për herë të parë. 
 
 
 
Samuel Akintaju tentoi të largohej në Itali
 
Rinas, arrestohet me pasaportë amerikane false inxhinieri nigerian
 
TIRANë - Tentoi të ikte drejt Kanadasë me pasaportë false, ndalohet nigeriano-amerikani. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga burime zyrtare pranë Policisë së Tiranës. Këta të fundit thanë se efektivët e Komisariati i Policisë së Rinasit kanë filluar procedimi penal në gjendje arresti për veprën penale të “falsifikimit të pasaportave”, ndaj Samuel Akinshola Akintaju, 31 vjeç, lindur në Amerikë në çikago dhe banues në Nigeri, me arsim të lartë, me profesion inxhinier kompjuterësh, me kombësi nigeriane dhe amerikane e shtetësi nigeriane dhe amerikane. Burimet nga policia thanë se arrestimi i nigerianit është bërë, pasi tri ditë më parë është kapur para kabinave të daljes nga Shqipëria, pasi po tentonte të largohej në drejtim të Kanadasë me linjën ajrore “Al-Italia” për në Romë, i pajisur me një pasaportë amerikane në emër të tij, për të cilën dyshohet e falsifikuar. Policia tha se gjatë kontrollit ka pasur dyshime për nigerianin dhe më pas ai është shoqëruar, ku është marrë në pyetje në lidhje me vizitën e tij në drejtim të Kanadasë. Ndërkaq, gjatë kësaj kohe është bërë kontrolli i pasaportës dhe dyshimet e policisë janë vërtetuar. Pas kësaj, 31-vjeçari Akintaju ka nxjerrë një tjetër pasaportë atë të shtetit tij të lindjes. Burime zyrtare nga policia thanë se nga kontrolli i ushtruar më pas këtij personi me vete i është gjetur një pasaportë nigeriane po me këtë emër, me numër A 3882981A, e rregullt. Por policia e ka ndaluar dhe e ka shoqëruar për në qeli. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të zbuluar se ku e ka marrë pasaportën nigeriani i ndaluar. Dyshohet që ajo të jetë prodhuar në Shqipëria, ose në vende të lindjes dhe më pas i është shitur nigerianit. Burime zyrtare nga policia thanë se janë bërë hetimet dhe është bërë sekuestrimi i pasaportës si provë materiale, si dhe u kryen veprimet. Pas kësaj, dosja me materiale i ka kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›