Ndërpritet seanca e Kuvendit, pritet shqyrtimi për buxhetin

Kuvendi ka ndërprerë seancën plenare të ditës së sotme. Kërkesa është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Seanca e sotme parlamentare pritet të fillojë pas pushimit prej 10 minutash.
Ndërkohë Ministri i mjedisit Fatmir Mediu i ka kërkuar sot deputetëve të miratojnë ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis ndërsa shtoi se projektligji merr në konsideratë projektet dhe llojin e procedurës në ndikimin e mjedisit, kërkesat nga ekspertët.
“Është e rëndësishme të thuhet se ky ligj vjen në përputhje të plotë edhe me ligjin për "Planifikimin e territorit". Miratimi Ii tij do të detyrojë biznesin vendin dhe të huaj të rrisë investimet në përputhje me kushtet mjedisore” theksoi Mediu në seancën plenare të Kuvendit.
Një diskutim i rëndësishëm në seancën e sotme është edhe rishikimi i buxhetit. Sipas ministrit të financave Ridvan Bode shkurtimet e parashikuara në këtë p/buxhet suplementar nuk do të prekin prioritetet, që do të thotë investimet publike, por shpenzimet operative në të gjitha institucionet. Ai gjithashtu siguroi se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë, duke thënë se ajo do të jetë 5%, ndërsa borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7 % dhe se defiçiti buxhetor do të jetë 3.5 %.