E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërrime me bollëk

Këtë sezon në elitën e futbollit kosovar, si asnjëherë më parë, ka pasur shkarkime dhe dorëheqje të trajnerëve. Me shkarkimin e Luan Prekazit nga Hysi, numri i trajnerëve që janë larguar nga drejtimi i skuadrave ka shkuar në 23.

Kur kanë mbetur edhe 10 xhiro deri në përfundimin e këtij sezonin në Superligë, skuadra nga Merdari është kampion në ndërrimin e trajnerëve. Pasardhësi i Prekazit, Arbnor Morina është trajneri i pestë që do ta drejtojë Hysin këtë sezon.

Në anën tjetër, as lideri i Superligës, Trepça nuk ia lëshon rrugën skuadrës së Hysit. Xehetarët që nga fillimi i kampionatit e deri më tani kanë ndërruar katër trajnerë.

Skuadrat që kanë ndërruar më së paku trajnerë janë Gjilani, Kosova e Vushtrrisë dhe Liria derisa Besa, Flamurtari, KEK-u dhe Ferizaj në krye të skuadrës kanë ende ata trajnerë me të cilët e kanë filluar këtë sezon.

Ish-trajneri i Kosovës së Vushtrrisë dhe Trepçës ’89, Fahredin Duraku, që aktualisht është i papunë, mendon se disa faktorë kanë ndikuar në shkarkimet dhe dorëheqjet e trajnerëve, këtë sezon.

“Për shkak të situatës financiare në futbollin kosovar, trajnerët janë të obliguar të merren me disa profesione përveç punës si trajner. Ata duhet të jenë të koncentruar dhe të mos kenë tjetër profesion dhe janë të obliguar të merren vetëm me zanatin e tyre sikurse ndodh në vendet e tjera”, thotë Duraku.

Ai mendon se kushtet e vështira i kanë detyruar disa trajnerë të punojnë edhe punë të tjera dhe mos t’i kushtohen 100 për qind futbollit. Sipas tij, papërgjegjësia në punë dhe mosanalizimi i situatës nëpër skuadrat e tyre ka bërë që trajnerët të ndërrohen si asnjëherë më parë.

Në anën tjetër, Duraku një pjesë të fajit ua hedh edhe drejtueseve të klubit. Sipas tij, udhëheqësit e ekipeve nuk janë njerëz që e njohin futbollin dhe duhet t’i kenë këshilltarët – drejtorët sportivë- që janë urë lidhëse mes futbollistëve dhe trajnerit.

“Trajnerët në Kosovë llogariten si punëtorë krahu. Trajneri nuk mund të ndërrohet për dy ndeshje. Shihni Real Madridin, nuk ngutet ta largojë Pellegrinin, edhe pse nuk po ka rezultate të mira. Ata e presin fundin e sezonit”, theksoi ai.

Hysi

Skuadra e Hysit deri më tani ka ndërruar më së shumti trajnerë që nga fillimi i sezonit 2009/2010. Para fillimit ë këtij sezonin, Muharrem Sahiti ishte emëruar trajner, por nuk i shkoi gjatë dhe ai u zëvendësua me Luan Prekazin.

As Prekazi nuk kishte jetë të gjatë në bankinën e klubit bardhezi, pasi ai u zëvendësua nga trajneri Hysni Maxhuni. Edhe këtij të fundit nuk i shkoi gjatë dhe drejtuesit e Hysit vendosën që në vend të tij sërish ta rikthejnë Prekazin.

Por, Prekazit nuk i eci as në herën e dytë, pasi ai u shkarkua nga posti i trajneri pas rezultateve të dobëta dhe vendin e tij e zuri përkohësisht Arbnor Morina.

Trepça

Edhe lideri i Superligës, Trepça këtë sezon ka ndërruar katër trajnerë. Gani Sejdiu nisi sezonin me xehetarët, derisa edhe pse ishte në krye të tabelës, dha dorëheqje pas disa mosmarrëveshjeve me kryesinë e klubit.

Mitrovicasit, pasardhës të Sejdiut emëruan Hysni Maxhunin, i cili vetëm pas pak javëve u zëvendësua me Nazmi Ramën, pasi dha dorëheqje. Mirëpo edhe Rama dha dorëheqje nga posti i trajnerit pas rezultateve jo të mira, derisa drejtuesit e klubit gjelbërezi rikthyen në klub Gani Sejdiun.

Prishtina

Po ashtu edhe kampionit aktual të Kosovës, FC Prishtina nuk i ka ecur puna mirë me trajnerë. Në fillim të sezonit bardhekaltrit trajner emëruan Besnik Kollarin, i cili dha dorëheqje pas rezultateve të dobëta.

Pasardhës i vushtrriasit u emërua Skënder Shëngyli. Këtij të fundit, edhe pse i shkoi mirë, vendosi ta lërë Prishtinën. Pas kësaj, drejtuesit e FC Prishtina, trajner të ri emëruan Ramiz Krasniqin, i cili me sukses po vazhdon ta drejtojë skuadrën.

Drenica

Drenica deri më tanin ka ndërruar tre trajnerë. Xhafer Dobra, i cili u emërua në krye të ekipit kuqezi para fillimit të sezonit, u largua nga drejtimi i skuadrës për t’i liruar vendin Valdet Shoshit. Por, as ky i fundit nuk arriti të drejtojë gjatë Drenicën, pasi dha dorëheqje. Në vend të tij erdhi Tahir Lushtaku, i cili vazhdon t’i drejtojë kuqezinjtë me sukses.

Vëllaznimi

Problem me trajnerë pati edhe Vëllaznimi. Fillimisht Blerim Mula la kuqezinjtë pas lojërave të dobëta që treguan në fillim të këtij sezoni. Pasardhës i tij u emërua Arsim Gojani, i cili drejtoi skuadrën vetëm në sezonin vjeshtor. Drejtuesit e klubit vendosën kuqezinjtë e rrezikuar të bien nga Superliga, t’i drejtojë Ajet Shosholli.

Liria

Liria është klubi që punët me trajnerë i kanë ecur më mirë në krahasim me skuadrat e tjera. Në fillim të sezonit, prizrenasit i drejtoi Erdogan Celina, i cili pas dorëheqjes u zëvendësua me trajnerin Behajdin Gjinali.

Kosova (V)

Edhe Kosova e Vushtrrisë nuk ka pasur ndonjë problem me trajnerë. Para fillimit të kampionatit, trajner u emërua Arbnor Morina, që drejtoi klubin në sezonin vjeshtor. Pas skadimit të kontratës me Morinën, vushtrriasit vendosën që trajner të ri ta emërojnë Agron Selmanin.

Gjilani

Po ashtu, edhe Gjilani ka ndërruar dy trajnerë. Agron Selmani, që filloi sezonin me klubin vjollcë, pas dorëheqjes nga posti i trajnerit, u zëvendësua me Muharrem Sahitin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›