E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 12 pasagjerë dhe një pikë karburanti

Në Vlorë dhe në Mat shumë persona janë kanosur me armë për t'u marrë paratë që zotëronin. Ende nuk dihen autorët

Dy grabitje me maska dhe armë janë regjistruar dje në rrethin e Matit dhe atë të Vlorës.
Një furgon me pasagjerë i një linje fshati në Mat ka rënë pre e grabitjes së dhunshme nga autorë ende të paidentifikuar.

Burimet policore bënë të ditur se është grabitur nga persona me maska furgoni i pasagjerëve që bënte linjën Selishtë-Tiranë në afërsi të fshatit Vig.

Ky furgon rezulton të jetë grabitur edhe dy muaj më parë, ndërsa grabitja e djeshme ndodhi në orët e para të mëngjesit sapo furgoni ishte mbushur me pasagjerë dhe po udhëtonte në drejtim të Tiranës.

Sipas dëshmitarëve që kanë rrëfyer në polici, furgoni u sulmua rreth orës 8:30 ku dhe janë grabitur 12 pasagjere nga dy persona të maskuar, njëri me kallashnikov në duar. Kështu, rezulton që personat e maskuar në kërcënimin e armës kanë mundur të rrëmbejnë 30 mijë lekë të rinj dhe 5 celularë.

Mjeti i grabitur me targa TR 2092 T, drejtohej nga shoferi Dervish Budini, me banim në Tiranë, por që bën linjën Selishtë-Tiranë. Ai është goditur nga personat e maskuar para se të rrëmbenin "plaçkën" e synuar.

Policia shkoi në vendgjarje ku ka parë rezultatin e "aksionit" të maskave, ndërsa grabitësit janë larguar drejt malit me kohë. Policia ka marrë në pyetje pasagjerët, drejtuesin e mjetit (viktima të grabitjes) dhe po heton për të identifikuar grabitësit e ku, me sa duket, dyshohet se kanë qenë të njëjtët autorë të grabitjes së parë për të njëjtin furgon të linjës Selishtë -Tiranë e që kësaj radhe kanë piketuar kthimin e pasagjerëve nga festat e Vitit të Ri.

Ndërkohë në Vlorë, maskat kanë prishur qetësinë pikërisht në ditët e para të vitit, duke zgjedhur një nga karburantet. Dy persona të maskuar e me armë ia kanë behur pranë pikës gjatë orëve të natës, duke përfituar edhe nga lëvizjet e pakta në këto orë, por edhe ditët festive.

Ngjarja ka ndodhur në pikën e karburantit që ndodhet në hyrje të fshatit Babicë. Mësohet se personat e maskuar kanë qenë në një makinë dhe kanë zgjedhur procedurën rutinë për t'u afruar, atë të një furnizimi të zakonshëm. Sapo kanë parë pranë tyre të afrohej punonjësi i karburantit, dyert janë hapur dhe një prej tyre i ka drejtuar armën, duke e detyruar të futet në një dhomë.

Pas kësaj ata kanë marrë kasafortën, duke e ngarkuar atë në makinë dhe janë larguar me shpejtësi.
Punonjësi i pikës së karburantit ka pohuar se e ka pasur shumë të vështirë të njihte ndonjë nga personat, pasi ata kanë qenë të maskuar.

Thjesht ai ka përshkruar skenën, ndërkohë që specialistë të policisë kanë kryer dokumentimin e plotë të ngjarjes. Sipas deklarimeve të vetë punonjësit atij i kanë drejtuar një armë automatike, por pa ushtruar dhunë.

Po nga deklarimet shuma mësohet të jetë afërsisht rreth 11 milionë lekë të reja. Aktualisht policia po kryen hetimet, duke mos përjashtuar edhe pistën e ndonjë bashkëpunimi të mundshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›