E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratisje masive ne burgun e Kandaharit 500 talebane lene qelite

Qindra talebanë marrin arratinë më këmbë nga një burg në Kandahar të Afganistanit. Kanë ecur  për 30 minuta përmes një tuneli një turmë me më shumë se 500 të burgosur. Shumica e të arratisurve ishin talebanë radikalë islamikë, ndër të cilët edhe shumë udhëheqës të tyre, deklaroi drejtori i këtij burgu.

Ai tha se tuneli ishte i gjatë rreth 400 metra dhe është hapur prej brendësisë së burgut deri pas mureve të jashtme. Zëdhënësi i talebanëve, Yousef Ahmadi, tha se afro 100 të burgosur të ikur janë  komandantë talebanë dhe shumica e të tjerëve luftëtarë talebanë. Sipas tij janë dashur 5 muaj për të gërmuar 320 metra tunel. Burgu i  Kandaharit ka një kapacitet prej 1200 të burgosurish.

Kjo nuk është hera e parë që të burgosurit marrin arratinë, por e treta e madhe në tri vitet e fundit. Në vitin 2008, afro 1 mijë të burgosur dolën nga burgu, pasi talebanët kishin shfrytëzuar një kamion me eksploziv për të hapur daljet e ndërtesës. Provinca Kandahar është në kufi me Pakistanin dhe konsiderohet si një prej qendrave të ekstremistëve muslimanë. Megjithë ofensivat e shumta ushtarake të NATO-s, aktet e dhunës së kryengritësve janë shtuar në muajt e kaluar. 

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›