E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërroi jetë Vahide Hoxha

Pas një sëmundjeje të shkurtër, sot në Prishtinë ndërroi jetë prof. Vahide Hoxha, kryetare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, bashkëshorte e komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Aradheve Partizane të Kosovës, Fadil Hoxhës.

E lindur më 26 qershor të vitit 1926 në Prizren, në një familje atdhetare arsimdashëse, Vahide Kabashi – Hoxha ishte një ndër vajzat e rralla shqiptare të Prizrenit që, në kohën e Jugosllavisë mbretërore, arriti ta kryente semimaturën në Gjimnazin e Prizrenit në gjuhën serbokroate.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë atëherë të okupuar nga Italia fashiste dhe çlirimit të vendit kreu gjimnazin në Shkodër e Prishtinë dhe Fakultetin Filozofik - Degën e Historisë në Shkup e Beograd. Pasi shërbeu një kohë si profesoreshë e historisë në Gjimnazin dhe Shkollën Normale të Prishtinës, ishte edhe drejtoreshë e Muzeut dhe e Institutit të Historisë së Kosovës, kryetare e Bashkësisë së Kulturës së Kosovës, deputete dhe delegate në Kuvendin e Serbisë e të Jugosllavisë dhe anëtare e Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si shumë e re dhe gjimnaziste iu bashkua rinisë antifashiste dhe mori pjesë në demonstrata e aktivitete të tjera antifashiste në Prizren dhe Prishtinë. Në nëntor të vitit 1944 merr pjesë në Konferencën Themeluese të Lidhjes së Rinisë Antifashiste të Kosovës në Gjakovë si anëtare e delegacionit të Rinisë antifashiste të Prizrenit.

Ishte kryetare e Komitetit të Vendit e të Rrethit të Prizrenit e të Prishtinës, anëtare e Kryesisë së Frontit të Gruas Antifashiste të Kosovës dhe ushtroi edhe funksione të tjera në jetën shoqërore, politike, kulturore e arsimore.

Gjatë rezistencës paqësore të popullit shqiptar të Kosovës kundër regjimit okupues serb në vitet ’90 dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah për krah me bashkëshortin e vet, ishte në anën e popullit të vet liridashës duke mos u larguar për asnjë moment nga qyteti dhe pragu i vet.

Në qershor të vitit 2005 u zgjodh kryetare e Kryesisë së Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, të cilën e udhëhoqi me shumë përkushtim e sukses deri në momentet e fundit.
Ceremoniali i varrimit bëhet në orën 15.00 në varrezat e qytetit të Gjakovës pranë varrit të bashkëshortit të saj, Fadil Hoxhës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›