E Diel, 1 Nëntor 2026

DËSHMIA:Kam dëgjuar se vëllain ma vrau banda e Bares


Ish-kryekomunari i komunës së Kolonjës së Lushnjes rrëfeu dje rrethanat e vrasjes së të vëllait dhe Masar Aliut

TIRANË- Ish-kryetari i Komunës Kolonjë, njëkohësisht vëllai i njërit prej viktimave të "bandës" së Lushnjës, Jakup Beqiri, dëshmoi me cilësinë e dëshmitarit të akuzës dje para togave të zeza, duke dhënë versionin e tij në lidhje me vrasjen e vëllait Idajet Beqiri mesditën e 22 shkurtit të vitit 1998 në rrugën Kolonjë- Bitaj. Dëshmitari Beqiraj, gjatë fjalës së tij, nuk fajësoi apo bëri përgjegjës direkt ndonjërin nga të pandehurit: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka apo Rexhep Ginën që po gjykohen në këtë proces gjyqësor, për vrasjen e vëllait të tij. "Unë banoja në Kolonjë ndërsa vëllai im Idajet Beqiri, në fshatin Bitaj.

Atë ditë, më 22 shkurt 1998, na ka ndodhur një vdekje dhe unë me vëllanë tjetër që jetonim dhe banonim në Kolonjë kishim shkuar për në varrim dhe kemi lajmëruar vëllanë Idajetin të vinte. Kam mësuar se ai atë ditë ka dalë nga shtëpia për të ardhur në varrim dhe duke ecur në këmbë e ka marrë një makinë e tipit "Golf" me ngjyrë të zezë ku kishin qenë dy persona. Këtë ma kanë thënë banorë të asaj zone, që nuk i mbaj mend me emra sepse nuk i njoh. Vëllai kishte qenë duke ecur në këmbë për në Kolonjë, kur ajo makinë me dy personat që nuk i njoh e kishin marrë me vete. Rrugës kryesore Bitaj- Kolonjë, tek një kthesë që ndodhet aty, makinës ku ishte vëllai ia kishte prerë rrugën një makinë me disa persona të armatosur. Ata kishin qëlluar pa paralajmërim në drejtim të shoferit, ku kam mësuar se ka qenë një djalë me emrin Masar Aliu që ka mbetur i vrarë.

Në atë kohë, ka dalë vëllai im nga makina duke i kërkuar personave të armatosur të mos qëllonin, por ata e kishin shkrehur automatikun edhe mbi trupin e tij duke e lënë të vdekur,- pohoi dëshmitari Jakup Beqiri me zë të dridhur. Më tej, ai dëshmoi para togave të zeza se si ishte lajmëruar dhe kush mendonte se ia kishte vrarë vëllanë. "Diku nga mesdita e datës 22 shkurt 1998, më morën në telefon dhe më thanë se të kanë plagosur vëllanë e duhet të nisesh për në Bitaj. Bashkë me vëllanë tjetër jemi nisur dhe rrugës kemi takuar makinën që po e dërgonte Idajetin e vrarë për në Spital.

E kemi ndaluar makinën dhe bashkë me ata kemi shkuar në Spital në Lushnje, ku janë bërë të gjitha procedurat dhe më pas e kemi tërhequr trupin për të kryer ceremoninë mortore. Ne si familje nuk e kemi idenë se kush kanë qenë personat që kanë qëlluar mbi vëllanë tonë. Emra konkretë nuk di, por, nga fjalët që kam dëgjuar thonë se kanë qenë ata të "bandës" së Lushnjës, që ju po i gjykoni këtu,- theksoi Beqiraj, në fund të dëshmisë së tij. Më pas, para togave të zeza, dëshmuan edhe tre persona të tjerë, të cilët nuk mbanin mend dhe nuk kishin parë asgjë për ngjarjet e viteve 1997-2003 në qytetin e Lushnjës, ku sipas akuzës, janë vrarë disa persona nga "banda" e Aldo Bares që ndodhen tashmë për gjykim. Seanca e djeshme gjyqësore ishte e 71 e zhvilluar pranë kësaj gjykate, ndërkohë, që nga një trup tjetër gjykues po gjykohet edhe krahu i djathtë i Aldo Bares, Enver Dondollaku në aplikim të gjykimit të shkurtuar që pritet në seancën e ardhshme të lexohen konkluzionet e prokurorisë. Për kreun e kësaj "bande" që ndodhet i arrestuar në Turqi, Gjykata do të presë caktimin e gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjykimin e tij, pasi gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë konsumuar të gjithë.

Gjykata: Verifikim gjendjes gjyqësore të Selmanit

Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda me kërkesë të mbrojtjes, vendosi të verifikojë gjendjen gjyqësore të dëshmitarit të këtij procesi Gramoz Selmani, pasi Gjykata e Elbasanit në përgjigjen e shkresës dërguar nga kjo gjykatë për verifikimin e gjendjes gjyqësore të Selmanit, ka kthyer përgjigje se pranë këtij institucioni se dosja me emrin e këtij personi është dërguar në Gjykatën e Lushnjës, e cila pak ditë më parë, ka konfirmuar se nuk ndodhet ndonjë dosje me emrin e dëshmitarit Selmani. Pas disa replikave dhe debateve mes palëve, Gjykata vendosi t'i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme, të dhëna mbi këtë person.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›