Ndërron jetë pronari i "Alsat"
Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në moshën 61-vjeçare, Vebi Velija, pronar i rrjetit televiziv "Alsat" në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë dhe po ashtu pronar i Korporatës Rajonale Ballkanike të Industrisë dhe Konsulencës "Veve Group". Velija ishte edhe presidenti i institucionit kulturor "Fondacioni Velija". Përmes angazhimeve në ekonomi, por edhe pjesëmarrjes personale në forumet ndërkombëtare e politike, 61-vjeçari, gjatë dy dekadave të fundit dha kontribut për zhvillimin e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal në të gjithë Ballkanin. Pas publikimit të lajmit të hidhur, politika shqiptare ka shprehur ngushëllimet e saj nëpërmjet mesazheve të ngushëllimit. Familja Velija ka marrë ngushëllime nga Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i PS-së, Edi Rama, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, Unioni i Gazetarëve etj.