Ndërthuren urimet me oponencën ndaj qeverisë
29/12/2009 Socialistët shpërndajnë kartolinat për bazën
“Hap kutitë”, kryeministri si Pinoku - dy pamjet e kopertinave
Partia Socialiste këtë vit ka projektuar një tjetër mënyrë urimi për anëtarët dhe mbështetësit e saj në të gjithë vendin. E ndërthur oponenca ndaj qeverisjes aktuale dhe mesazhet uruese për festat e fundvitit, kanë sjellë një atmosferë ndryshe në selinë rozë. Gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë për të gjitha rrethet të gjitha kartolinat dhe kalendarët si dhurata simbolike për përfaqësues, anëtarë e simpatizantë të PS-së. Për kartolinën e urimit për socialistë dhe qytetarë të ndryshëm kupola rozë ka veçuar si panoramë për kopertinën e saj pikërisht pamje nga protesta triditore e 21 nëntorit, ku bie në sy kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Ndërsa në anën e saj të pasme shënohet mesazhi i kryetarit të PS-së Edi Rama. “Me këtë pamje shpresëdhënëse të vitit që po ikën uroj një Vit të Ri që të sjellë më shumë të mira e gëzime për familjen tuaj dhe shëndet e mbarësi për gjithkënd. Edi Rama”, - shkruhet në kartolinë. Por lidershipi socialist duket se nuk është mjaftuar vetëm më këtë kartolinë, pasi në të gjitha rrethet u shpërnda dje dhe një kartolinë me portretin e kryeministrit Berisha, që në këtë rast simbolizohej nga një figurë që përfaqëson gënjeshtrën në botën e përrallave për fëmijë, konkretisht Pinoku. Nëse në koperinë kryeministri paraqitej si Pinoku i veshur në ngjyrë blu, në anën e pasme të saj ishin ngjyrat e kampit rozë, ku radhiteshin gënjeshtrat si dhuratë për Vitin e Ri.