E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtim fshatçe në manastirin e Mesopotamit

SARANDE - Një ndërtim pa leje "fshatçe". Kështu mund të cilësohet ai që ka nisur të ngrihet në territorin e Manastirit të Mesopotamit. 

 Për drejtuesit e monumenteve të kulturës objekti konsiderohet i kundërligjshëm, ndërkohë që komuna e Mesopotamit dhe Mitropolia e Gjirokastrës nuk kanë asnjë dijeni për ngritjen e tij. Mësohet se objekti ngrihet për të kryer funksionet e kishës, ndërkohë që ceremonitë fetare tradicionalisht nuk janë penguar të realizohen në Manastirin e famshëm dhe kur Mesopotami ka një kishë për ta pasur zili në mes të fshatit. Vetëm 100 metra larg manastirit të njohur të Mesopotamit, objekt me rëndësi të veçantë kulturore, që daton shekullin e XII-të, prej më shumë se dy javësh ka nisur të hedhë shtat një ndërtim i ri. Bëhet fjalë për një objekt me sipërfaqe dhe lartësi të konsiderueshme. Për ngritjen e tij janë alarmuar dhe kanë reaguar strukturat shtetërore, përfshi edhe inspektoratin e Policisë Ndërtimore. E veçanta e këtij ndërtimi tij është se sipërmarrës në këtë rast nuk është një person i vetëm, sikurse ndodh rëndom, por tërë fshati, me pretendimin për të pasur një kishë pranë varrezave publike të fshatit Mesopotam. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve, Feruz Shabani, tha se ky ndërtim bie ndesh me ligjin 9048 të trashëgimisë kulturore dhe me atë të urbanistikës, pasi është jo më shumë se 100 m larg Manastirit, monument kulture. Organet e specializuara kanë reaguar ndaj kësaj iniciative, duke e cilësuar atë antiligjore dhe pasi është bërë denoncimi për të është urdhëruar edhe bllokimi i ndërtimit, ndonëse ai ka arritur në një lartësi të konsiderueshme. Por nuk ka munguar edhe komunikimi me pjesëtarë dhe përfaqësues të komunitetit të fshatit Mesopotam, për të bërë të qartë se ndalimi i ngritjes së objektit me destinacion kishë nuk ka të bëjë me ndjenjat e tyre fetare. Për vite me radhë, ceremonitë dhe ritet fetare janë zhvilluar pa asnjë pengesë nga monumentet e kulturës në mjediset e manastirit, ndërkohë që në fshatin Mesopotam është ngritur e re një tjetër kishë, ku kryhen të gjitha shërbesat fetare.   sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›