E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’do protestojmë për Vilën 6”

Pronarët e truallit të "Vilës 6" në ish-zonën e Bllokut në Tiranë, që tashmë është duke u restauruar pasi është përcaktuar nga Qeveria të jetë seli e ambasadës së Kosovës, kanë vendosur të mos prishin ceremoninë e inaugurimit të saj më 18 qershor. 

Me anë të një letre të hapur ata kanë lajmëruar të gjitha mediat për këtë vendim, të cilin edhe e kanë arsyetuar. Ky sensibilizim i mediave bëhet menjëherë pasi është publikuar se në datat 18 dhe 19 qershor në Tiranë do të jetë për vizitë pune kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi. I cili mes të tjerave do të presë shiritin e inaugurimit të godinës së restauruar të ambasadës së Kosovës, ose të godinës që është quajtur deri tani si "Vila 6". Sipas tyre, edhe pse shteti është duke shkelur ligjet e veta me të dy këmbët dhe me këtë sjellje u ka përligjur një veprim të ngjashëm me protestën në momentet e inaugurimit të ambasadës, ata kanë vendosur të mos ndërmarrin asnjë veprim të ngjashëm. Kjo sepse vlerësojnë momentin politik dhe gjithçka tjetër mes dy vendeve, që i bashkon i njëjti popull. Qëndrimi sipas tyre, i ka rrënjët edhe më të thella se kaq dhe ka të bëjë me lidhjet që kanë pasur me Kosovën njerëzit që dikur, para ardhjes në pushtet të komunistëve, blenë truallin dhe nisën të ndërtonin brenda perimetrit të asaj, që sot quhet "Vila 6". Sipas pronarëve të truallit, ky qëndrim i tyre vendoset shumë më lart nëse për krahasim do të merren kushtet që shteti ynë plotëson përballë privatëve në rastin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.  
Kalvari i “Vilës 6”
Trashëgimtarët e truallit të "Vilës 6" e kanë fituar pronën e tyre me anë të vendimit nr: 137 të datës 02.07.2007 të zyrës rajonale të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Tiranës. Madje, për të njëjtën pronë, ministri i Privatizimeve, Genc Ruli, kishte nisur procedurat për privatizimin e godinës, për të cilën sipas ligjit, pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes. Por në të njëjtën kohë Qeveria shqiptare nxitueshëm ndërmori një hap të gabuar duke ja dhuruar godinën për ambasadë Qeverisë së Kosovës. Periudha e mëpasme ka qenë e mbushur me publikime nga ana e pronarëve të truallit të padrejtësive me autor shtetin, që shkel ligjet e veta dhe me heshtjen pothuaj totale të ingranazheve të këtij të fundit. Madje të njëjtët, pronarët e truallit, kanë denoncuar në media dhe përpjekje të strukturave të shtetit për falsifikim. Sipas tyre Avokatura e Shtetit, duke falsifikuar apo fshehur dokumente zyrtarë, pretendoi se nuk ishte njoftuar në kohë për të bërë apel për vendimin nr: 127 (02.07.2007) të zyrës rajonale të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Tiranës. Të njëjtët ishin ligjërisht të humbur për shkak se të gjitha afatet për apelim kishin përfunduar. Falsitetin e pretendimit të Avokaturës së Shtetit pronarët e truallit e vërtetuan me anë të dokumenteve autentikë, që thoshin se ata ishin lajmëruar në kohën e dukur sipas afateve të përcaktuara me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›