E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për pronën, 6 të plagosur

Sherri i vjetër mes dy familjeve shkakton sulm masiv me armë zjarri, thika e granatë. 

TEPELENE/ PIRO NASE

Gjashtë persona u përfshinë në grindje, dy prej të cilëve janë plagosur rëndë pas ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Salari të Tepelenës. Djemtë e xhaxhallarëve konfliktohen gati për vdekje për motive të dobëta duke pasur në shënjestër edhe gratë. Banesa e Admirim Dulajt në fshatin Salari është sulmuar me granatë dore dhe çifte nga ana e Birbil dhe Vullnet Kërçanit, përkatësisht 33 dhe 35 vjeç të cilët janë djemtë e xhaxhallarëve të së shoqes së Admirimit, Bukurije Kërçani, 32 vjeç. Kjo e fundit e ka pësuar më keq nga të gjithë pasi ka marrë plagë të rënda në trup si pasojë e goditjes me çifte. Ndërkohë i shoqi, Admirimi ka rënë viktimë e goditjes me thikë në kokë dhe bark nga ana e dy agresorëve. Një tjetër i plagosur është Proletar Kërçani 35 vjeç, vëllai i Bukuroshe Kërcanit. Sipas Admirim Dulajt, ngjarja ka ardhur si pasojë e një debati tepër të rëndë verbal mes gruas dhe të vëllait të saj, Proletar Kërçanit nga njëra anë dhe agresorëve nga ana tjetër pak orë para plagosjes. “Mbaj mend që me të qëlluar me çifte nga jashtë shtëpisë, vëllezërit Vullnet dhe Birbil Kërçani kanë hedhur po nga jashtë shtëpisë një granatë defensive. Në këtë moment mua më ka rënë të fikët dhe jam këtu ku po ndodhem nën efektin e serumeve”, thotë Admirimi. Ndërsa e shoqja e tij, Bukurije Kërçani me një plagë të rëndë në trup si pasojë e saçmes së marrë, shprehet për gazetën “Panorama” se, ka qenë një tmerr i vërtetë momenti kur kanë ardhur në shtëpi djemtë e xhaxhallarëve të saj ku fillimisht kanë qëlluar me çifte e më pas hodhën bombën duke shkatërruar shtëpinë. Fillimisht, burrë e grua janë transportuar në spitalin e Tepelenës e më pas në atë të Gjirokastrës. Pjesë e sherrit ka qenë edhe një tjetër grua Sonila Kërçani, e shoqja e njërit prej agresorëve, e cila edhe ajo është shtruar në spitalin e Gjirokastrës, por me plagë të lehta.
Sipas policisë së Gjirokastrës, konflikti ka ardhur si pasojë e pronësisë, por kjo pistë është hedhur kategorikisht poshtë nga ana e njërit prej të dëmtuarve, Proletar Kërçani. Ai pohoi dje se sherret kanë qenë të pranishme dhe të trashëgueshme prej muajsh, madje duke qenë pjesë e këtyre sherreve edhe vetë fëmijët e të dy familjeve me të njëjtin mbiemër. “Ka arritur atje ku nuk mban më njeriu dhe kjo me sa duket na gjeti të papërgatitur për momentin dhe ja ku e pësova unë, motra ime, dhëndri të gjithë të goditur nga njerëzit tanë. Ky është një turp për ne”, thotë ai. Mjaft herë konfliktet familjare mes dy familjeve, janë sheshuar me ndërhyrjen e kunatave për të qetësuar gjakrat, por dje ka arritur kulmi me përdorimin e armëve të zjarrit dhe të ftohta. Ndërkohë Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me komisariatin e policisë Tepelenë po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, pasi të merren të gjithë dëshmitë e protagonistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›