Shoku i klasës plagos 13-vjeçarin
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Me thikën që e mbante “për të ndarë mollën”, qëllon shokun e klasës në mes të oborrit të shkollës. E.Meçollari, 13 vjeç, nxënës në klasën e tetë të shkollës 9-vjeçare në fshatin Vloçisht të Korçës, përfundoi në gjendje të rëndë në spital, pasi mori dy plagë, një në krah dhe tjetrën në dorë. Autori i ngjarjes, V.Ç, 14 vjeç e qëlloi atë me thikë, pas një sherri të momentit për celularin. Ngjarja e rëndë u shënua dje rreth orës 12:00, kur e gjithë klasa e tetë ndodhej në oborrin e shkollës, në pritje për të nisur orën e fizkulturës. Bashkëmoshatarët e dy nxënësve pohuan në polici se ata janë parë teksa po bisedonin me njëri-tjetrin me tone të ashpra. Sipas dëshmisë së dhënë më pas edhe nga 14-vjeçari, por edhe të nxënësve të tjerë, debati nisi kur V.Ç., nxori nga çanta telefonin e sapoblerë. Ai nisi t’i tregonte opsionet që mbarte shokut të tij një vit më të vogël. Por ky i fundit i qëndroi indiferent, duke e akuzuar atë se po mburrej. “Mos u mburr se të gjithë celularët i kanë ato opsione. Nuk je i vetmi ti që ke celular, edhe unë së shpejti do ta blej një, shumë herë më të mirë se tëndin”. Kjo ka qenë biseda e dy djemve, e cila më pas precipitoi përgjakshëm. V.Ç nxori një thikë që e kishte pasur me vete dhe qëlloi 13-vjeçarin duke i shkaktuar plagë. Fëmija ra pas pak momentesh përtokë, ndërsa mësuesit e alarmuar nga britmat e nxënësve dolën menjëherë në oborr. Ata u tmerruan kur panë të gjakosur nxënësin e tyre. Të alarmuar ata e çuan të plagosurin menjëherë në spital. Sipas mjekëve, fëmija kishte humbur shumë gjak, por pas ndihmës së parë ai e kaloi rrezikun për jetën. Një nga plagët e marra në krahun e majtë për pak i ka prekur zemrën, por fatmirësisht mjekët konfirmuan dje se gjendja e të miturit është nën kontroll. Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti në vend. Në praninë e një psikologu u mor në pyetje autori, i cili për shkak të moshës do të ndiqet në gjendje të lirë. Ai akuzohet për veprat e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa lejë të armëve të ftohta”. Sipas policisë, 14- vjeçari pranoi se e kishte qëlluar shokun pasi u fye nga reagimi i tij kur po i fliste për celularin e sapoblerë. Njëherësh ai ka dhënë edhe shpjegimin se si u gjet thika në çantën e tij. “Unë e mbaj thikën për të ngrënë mollën që marr me vete çdo ditë në shkollë”, është justifikuar i mituri. Babai i fëmijës së lënduar, Adrian Meçollari, emigrant në Itali është ndodhur në Shqipëri këto ditë. Ai bëri apel dje për më shumë siguri pasi sipas tij prindërit nuk mund t’i ruajnë edhe në shkollë fëmijët e tyre.