E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa në "Ground Zero", një lutje për paqen

Nën një qiell gri që kishte mbuluar Manhatanin, Benedikti XVI zbriti me të famshmin "Popemobil" në kraterin ku dikur ngriheshin Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, një plagë kjo ende e hapur në Nju Jork. Makina e ka çuar atë deri në mesin e urës që zbret poshtë dhe më pas ai e ka përshkruar më këmbë pjesën e fundit të rrugës, deri në shatërvanin e vogël katror, që kujton 2749 viktimat e 11 shtatorit 2001. Shoqërohej në këtë vizitë nga kardinali Eduard Egan dhe në pritje, në mesin e "Ground Zero"-s, ka gjetur kryebashkiakun e Nju Jorkut, Majkëll Blumberg dhe guvernatorin e Nju Jorkut, Dejvid Paterson, si dhe atë të Nju Xhersit, Xhon Korzine. Ishin të pranishëm në "Ground Zero" edhe 24 persona të tjerë, të mbijetuar të katastrofës dhe familjarë të viktimave të atentatit terrorist, bashkë me disa prej pjesëtarëve të skuadrave të shpëtimit, zjarrfikës, policë, roja civile etj. Para se t‘i përshëndeste ata, Papa është përulur para pasqyrës së vogël prej uji, ku ishte vendosur edhe një pedanë. Një violinçelist që deri në atë kohë luante nota të trishta, heshti. Dukshëm i mallëngjyer, Papa Ratcinger është ngritur më këmbë, ka ndezur një qiri dhe më pas ka marrë mikrofonin dhe ka shqiptuar lutjen që vetë ai e kishte krijuar. "O Zot i dashurisë, i mëshirës, i pajtimit, ka thënë, drejtoje vështrimin tënd nga ne, popull i shumë besimeve dhe traditave të ndryshme, që jemi mbledhur sot në këtë vend, skenar i dhunës dhe dhimbjes së pabesueshme. Të kërkojmë që t‘u falësh dritë dhe paqe të përjetshme të gjithë atyre njerëzve që humbën jetën në këtë vend, shpëtimtarëve heroikë, zjarrfikësve, agjentëve të policisë, punonjësve të shërbimeve të emergjencave dhe personelit të Kapitanerisë së portit, bashkë me të gjithë të tjerët, burra dhe gra të pafajshëm, viktima të kësaj tragjedie. Të kërkojmë të shërosh ata që për shkak të pranisë së tyre këtu, atë ditë, vuajnë ende për plagët e marra dhe sëmundjet. Dhe të gjithë ata që vuajnë për humbjen e personave të dashur. Jepu atyre forcë të vazhdojnë të jetojnë me kurajë dhe shpresë. Kujtojmë edhe ata që kanë humbur jetën, të plagosurit dhe familjarët e viktimave që po atë ditë u goditën në Pentagon dhe Pensilvani. Zemrat tona janë me ta, ndërsa lutjet tona janë me dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Zot i paqes, zbrite paqen tënde në botën tonë të dhunshme, paqe në zemrat e të gjithë burrave dhe grave, paqe mes kombeve të kësaj toke", ka përfunduar Papa. Ati i shenjtë ka bekuar më pas kraterin, në të gjitha drejtimet e tij. Më pas, Papa mbajti edhe një meshë të hapur në stadiumin "Yankees" të Nju Jorkut, në praninë e mbi 55 mijë personave. Kjo ishte edhe ndalesa e fundit e Papës, në atë që për shumë vëzhgues ishte një udhëtim i suksesshëm. Në ditën e fundit të vizitës së tij në SHBA, Papa Benedikti foli edhe për vështirësitë me të cilat ai u përball ndërsa rritej në Gjermaninë naziste. Duke folur në një takim me të rinjtë katolikë në Nju Jork, ai i përshkroi nazistët si monstra që kishin ndaluar Zotin dhe si rrjedhim ishin zhveshur nga çdo gjë e vërtetë dhe e mirë. Kjo është hera e parë që kur ai u zgjodh Papë, tre vjet më parë, që flet publikisht lidhur me përvojën e tij si adoleshent. Papa Benedikti u detyrua të futej në rininë naziste dhe nga fundit i Luftës së Dytë Botërore u rekrutua në ushtrinë gjermane para se të kapej nga amerikanët. Ai e krahasoi jetën e tij si adoleshent nën atë që ai e quajti "regjimi dashakeq nazist" me atë të audiencës së tij të re amerikane dhe u bëri thirrje të gëzojnë lirinë e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›