Edhe bundestagu gjerman kundër bojkotit të Ramës. Thirrje opozitë për të marrë pjesë në kuvend

Parlamentarja gjermane Margaret Vetzel u shpreh sot në Tiranë se pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është e rëndësishme për realizimin e reformave në vend. "Pjesëmarrja e opozitës dhe mbledhja e parlamentit në numrin e tij të plotë është tejet e rëndësishme. Edhe Progres Raporti i KE-së, i publikuar së fundi, kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, gjë që e bën të domosdoshme mbledhjen e parlamentit në numrin e tij të plotë", iu përgjigj znj. Vetzel pyetjes së gazetarëve, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që pati me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Parlamentarja Vetzel, e cila ndodhet në Tiranë në krye të një delegacioni të Bundestagut gjerman, për të ofruar një projekt për trajnimin e administratës së Kuvendit, nënvizoi se "ne kërkojmë që të qëndrojmë larg debateve të brendshme të një vendi lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në parlament, pasi nuk kemi qënë në momente të caktuara të këtij debati dhe kërkojmë të mbetemi jashtë këtyre pozitave vlerësuese për të". Por, pohoi ajo, "pjesëmarrja e opozitës në parlament është tejet e rëndësishme pasi mund të merren vendime për të ardhmen e vendit". Lidhur me kërkesën e bërë nga Shqipëria për statusin e vendit kandidat në BE, deputetja Vetzel tha se "është në dorën e gjithësecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin, se kur duhet të bëjnë kërkesën për anëtar të BE-së. Mendoj se Shqipëria, deri sa të pranohet anëtare e saj, duhet të ecë dhe të bëjë progrese të caktuara. Ajo është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit". Ndërkaq, Partia Socialiste e opozitës vijon të refuzojë hyrjen në parlament, pasi këmbëngul për hetim dhe transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit.
...