E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, PS mbështet misionin e ODIHR-it

Kryetarja e Misionit të ODIHR-it zhvilloi dje një takim me Kryetarin e PS-së, Rama


TIRANË- Pavarësisht kontestimeve të qeverisë shqiptare, Misioni i ODIHR-it vazhdon të zhvillojë takime me përfaqësues të forcave politike në vend. Kryetarja e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, ambasadorja Audrey Glover, zhvilloi dje një takim me Kryetarin e PS-së, Edi Rama.


Gjatë këtij takimi, Rama ka shprehur mbështetjen e Partisë Socialiste për misionin e ODIHR-it dhe në të njëjtën kohë e ka njohur ambasadoren me disa nga shqetësimet e opozitës në lidhje procesin e ardhshëm zgjedhor.


Procesi i pajisjes së votuesve shqiptarë me letërnjoftime elektronike ka qenë një nga problematikat e ngritura nga lideri i opozitës, sikundër edhe numri i madh i zyrave të aplikimeve, të cilat, sipas PS-së, edhe sot mbeten të mbyllura në shumë komuna e bashki të vendit.


Kreu i Misionit Vëzhgues të ODIHR-it dhe Kryetari i Partisë Socialiste shprehën interesin e tyre të përbashkët për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë, si një vend anëtar i NATO-s.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›