E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndertimi i autostrades kosovaret shtojne investimet ne Shqiperi

Një pjesë e investimeve në Shqipëri kryhen nga kosovarët. Brenda një periudhe trevjecare shqiptarët nga kosova kanë investuar në vendin tonë më shumë se 33 milionë euro. Të dhënat bëhen me dije nga Banka Qëndrore e Kosovës e cila saktëson se këto investime po bëhen kryesisht në sektorin e pasurive të patundshme
 Investimet më të mëdha nga kosovarët në Shqipëri u llogaritën në vitin 2008  kur arritën vlerën totale 19.2 milionë euro. Një vit më pas investimet e tilla u zvogëluan me më shumë se 8 milionë euro dhe vazhduan të ndjekin trendin rënës gjatë vitit 2010.
“Investimet e huaja direkte të rezidentëve kosovarë në vende tjera arritën vlerën prej 10.6 milionë euro, investime këto kryesisht për blerje të patundshmërive në Shqipëri. Në vitin 2010, këto investime u zvogëluan në 3.4 milionë euro”, thuhet në raportet vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës.  Sipas ekspertëve kosovarë të ekonomisë blerjet e pasurive të patundshme në Shqipëri u përshpejtuan nga ndërtimi i autostradës. “Bregdeti shqiptar po bëhet më atraktiv për investimet e kosovarëve. Ato po përqendrohen kryesisht në Tiranë dhe Durrës dhe më pak në qytetet jugore bregdetare të Shqipërisë ” thonë ata.  këto investime kryhen kryesisht nga biznesmenë ose nga diaspora kosovare që jetojnë jashtë. Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu shprehet se ndërtimi i “Rrugës së Kombit” i ka nxitur kosovarët që të blejnë apartmante në Shqipëri.  Sipas tij partneriteti ekonomik mes dy vendeve duhet të rritet dhe të shfrytëzohen maksimalisht potencialet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›