Performance e mire e tregtise ne Eurozone

Të dhëna pozitive mbi bilancin tregtar të Eurozonës. Sipas raportit të Zyrës Europiane të Statistikave, në muajin maj tregtia e vendeve të Eurozonës me pjesën tjetër të botës ka regjistruar një suficit me 6,9 miliardë euro apo dyfish më shumë krahasuar me muajin prill dhe në rritje me 2,5 miliardë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2011-ës. Shifrat mbi bilancin tregtar të Eurozonës kanë tejkaluar kështu edhe pritjet e analistëve të cilët kishin vlerësuar një suficit deri në 5 miliardë euro. Sipas Eurostat ka pasur një shtim të eksporteve me 1,7% ndërkohë që importet kanë pësuar një rënie me 0,9%. Ndërsa për të gjitha vendet e BE është regjistruar një deficit tregtar prej 3,8 miliardë euro, gjithsesi është më i ulët krahasuar me 14,5 miliardë të vitit të kaluar dhe 12,6 miliardë të regjistruara në muajin prill të këtij viti. Përsa i takon të dhënave të Eurostat mbi inflacionin në Eurozonë vihet re se indeksi i çmimeve të konsumit ka mbetur i pandryshuar në 2,4% në muajin qershor krahasuar me muajin paraardhës. Një vit më parë norma e inflacionit në zonën euro rezultonte në 2,7%. Ndërsa për bllokun 27 anëtarësh të BE, inflacioni në muajin e kaluar ka qenë më i lartë se në Eurozonë në 2,7%, por më i ulët krahasuar me muajin maj dhe vitit të kaluar. Në rritjen e çmimeve kanë ndikuar kryesisht grupi i pijeve alkolike dhe duhanit si dhe ato lidhur me banesat dhe transportin, që varen nga rritja e çmimit të karburanteve. Por ka patur një tendencë rënëse përsa u përket çmimeve të komunikacionit si pasojë e uljes së tarifave të komunikimit.