E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetet vleresojne parametrat ekonomike te Shqiperise

Sipas Brukselit, përmbushja e 12 prioriteteve kyçe të Komisionit Europian për Shqipërinë do ta ndihmonin vendin jo vetëm për statusin e kandidatit, por edhe për tu fokusuar më shumë në presionet ekonomike që mund të ushtrohen ndaj tij si rrjedhim i krizës financiare dhe ekonomike globale.
 “ Sa më shpejt ju do të përmbushni 12 rekomandimet e Komisionit Europian në opinionin për kandidaturën e Shqipërinë, aq më lehtë dhe më shpejt do të mund të zgjidhni problemet ekonomike dhe sociale, në një kohë ku Europa përballet me vështirësi të shumta për ti zgjidhur këto probleme. Ndaj, mbyllja e 12 rekomandimeve do t’iu japë mundësi për tu përgatitur për vështirësitë që mund të trokasin në Shqipëri”, u shpreh eurodeputeti, Nikolaos Chountis.
Sipas mazhorancës, parametrat ekonomike të Shqipërisë të vlerësuara dhe nga institucionet financiare janë inkurajuese, por vendi duhet të përgatitet edhe për masa shtrënguese.
Komisioni dhe Parlamenti Europian përshëndet parametrat ekonomikë të Shqipërisë, por edhe me rritjen e punësimit, Shqipëria inkurajohet të bëjë më shumë përpjekje në këtë drejtim, pasi papunësia mbetet një problem i mprehtë në vend.
“Një nga prioritetet duhet të jetë reduktimi i papunësisë. Ne kemi shifrat që ju referohen vitit të shkuar dhe përsa i përket papunësisë, ajo rezulton në nivelin 13%. Lufta ndaj varfërisë mund të jetë e suksesshme vetëm përmes një politike punësimi aktive, ndaj kjo duhet forcuar”, vlerësoi eurodeputetja, Jutta Steinruck.
Gjithashtu, vlerësime erdhën dhe nga eurodeputeti Antonio Cancian.
“ Shqipëria ka parametra të mirë, rritja ekonomike, prodhimi i brendshëm, inflacioni, të gjitha këto janë korrekte , por duhet treguar kujdes me papunësinë në 13%. Objektivi duhet të jetë reduktimi i saj”,
BE-ja nuk pritet të dali nga kriza para një periudhe 5 vjeçare. Kjo krizë mund të ketë impakt në Shqipëri në vitet që vijnë, ndaj vendi duhet të përgatitet që tani për të parandaluar efektet negative.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›