Rekordi në tre vjet Kosova fut në Shqipëri 33 milionë euro

Më shumë se 33 milionë euro kanë investuar kosovarët në Shqipëri brenda një periudhe trevjeçare. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës këto investime po bëhen kryesisht në sektorin e pasurive të patundshme. Investimet më të larta nga kosovarët në Shqipëri ndodhën në vitin 2008, kur arritën vlerën e përgjithshme prej 19.2 milionë euro, shkruan mediat kosovare. Një vit më pas investimet u zvogëluan për më shumë se 8 milionë euro dhe vazhduan me një trend të tillë të zvogëlimit edhe në vitin 2010.
"Investimet e huaja direkte kosovarë në vende tjera arritën një vlerë prej 10.6 milionë euro, investime këto kryesisht për blerje të pasurive të patundshme në Shqipëri. Në vitin 2010, këto investime u zvogëluan në 3.4 milionë euro", thuhet në raportet vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas ekspertëve investimet kosovare në Shqipëri i ka përshpejtuar ndërtimi i autostradës mes dy shteteve. "Bregdeti shqiptar po bëhet më atraktiv për investimet e kosovarëve. Investimet kryesisht po ndodhin në Tiranë dhe Durrës dhe më pak në qytetet jugore bregdetare të Shqipërisë" ka deklaruar Muhamet Sadiku. Për dallim nga kosovarët, sipas tij, nuk vërehen investime të shtetasve të Shqipërisë në Kosovë. Sadiku thotë se Kosova ende nuk është bërë vend atraktiv për investime serioze në biznes dhe shumë .
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gerxhaliu, ka pohuar se pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i kosovarëve për blerjen e apartmaneve në Shqipëri është në rritje e sipër.