E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i banesave sociale, mollë sherri, Bashki- MPPTT

Plas sherri mes bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve për banesat sociale. Bashkia e Tiranës ka qenë e para që ka reklamuar nisjen e punimeve për ndërtimin e këtyre banesave, ndërsa Ministria e Transporteve hedh poshtë pretendimet e Bashkisë duke vlerësuar si nismë të qeverisë këtë projekt. Ditën e djeshme kreu socialist, Edi Rama ka prezantuar nisjen e ndërtimit të banesave sociale, në zonën e ish- Uzinës së Autotraktorëve, ku 400 familje që do të strehohen në to, do të pagujnë kredi të zbutur. Bashkia e Tiranës ka prezantuar ditën e djeshme programin e ri për strehimin i cili nis me ndërtimin e 400 banesave të reja sociale në Tiranë për të pastrehët. Nëse për Tiranën, ne po sistemojmë 400 familje, pas përpjekjesh shumëvjeçare, nesër bashkë me qytetarët, ne do të mund të bëjmë një politikë të re të strehimit social në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat urbane, ku kalvari shumëvjeçar i të pastrehëve do të marrë fund, ka theksuar Rama. 4500 metra katrorë do të jenë në dispozicion për ndërtimin e bizneseve të vogla me qëllim punësimin e familjeve të pastreha, si dhe atyre me probleme ekonomike. Ndërkaq nuk ka ndenjur në heshtje, Ministria e Transporteve, e cila nëpërmjet një deklarate për shtyp e ka cilësuar projektin e banesave sociale me qira, nismë të qeverisë shqiptare. Kryetari i Partisë së Bashkisë, gënjeu duke paraqitur si të tijin, programin e Ministrisë së Punëve Publike për strehimin. Me një kredi të kontraktuar nga qeveria shqiptare, brenda programit të strehimit të MPPTT-së, në Tiranë filloi ndërtimi i 360 apartamenteve, pjesë e një kontingjenti për 1100 apartamente që do të ndërtohen në 8 qytete të vendit, thuhet në deklaratë. Ndër të tjera mësohet se ndërtimi i këtyre apartamenteve duhej të kishte nisur muaj më parë pasi paratë kanë qenë të gatshme dhe projektet kanë qenë të gatshme, por, e vetmja gjë që ka munguar sipas MPPTT-së, kanë qenë trojet. Pasi politika e zotit Rama nuk ka troje për të pastrehët, por ka troje për klientët financiarë e politikë të kryetarit të Bashkisë. Në 8 vite Partia e zotit Rama në pushtet ndërtoi as 200 apartamente. Në 4 vite kjo qeveri ka ndërtuar e blerë në treg 1000 apartamente, ka kontraktuar me Bankën e Këshillit të Europës 1100 apartamente, ka prezantuar paketën me 6000 apartamente të kredituara: 3257 prej të cilave për familjet që jetojnë në shtëpitë e ish- pronarëve dhe pjesa tjetër për kontingjentin që gëzon statusin e të pastrehut, citohet ndër të tjera në deklaratën e MPPTT-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›