Qeveria jep falas tekstet shkollore për të varfrit
Mandati 2009-2013, 160 mijë vende të reja pune
Berisha: 150 milionë euro ndihmë sociale
Qeveria jep falas tekstet shkollore për prindërit e varfër, ndërsa premton se gjatë të mandatit të ri qeverisës, do të hapen 160 mijë vendeve të reja pune. Hapësirat gjatë mandatit të ardhshëm, sipas Kryeministrit Sali Berisha, do të krijohen për shqiptarë nga sektori privat, falë rritjes dhe klimës ekonomike në vend. Në gjykimin e tij janë sipërmarrësit që taksat e ulëta të vendosura nga qeveria i shndërruan në vende të reja pune dhe kjo praktikë do të vazhdojë edhe më tej gjatë mandatit të ri qeverisës. Gjatë pjesëmarrjes dje në panairin e punës të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, kreu i qeverisë falënderoi biznesin për punësimin e punëtorëve dhe u shpreh i sigurt se Shqipëria nuk do të preket nga kriza globale. "Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë të cilët gjatë këtyre katër viteve, në rast se qeveria në administratë shkurtoi me 30 për qind vendet e punës, biznesi punësoi rreth 80 mijë punonjës. Premtimi im është që gjatë katër viteve që vijnë, ky numër të dyfishohet", - theksoi z. Berisha. I bindur se politika më e mirë janë taksat e ulëta, Berisha u shpreh i inkurajuar se vendi ynë po i reziston krizës. Kryeministri garantoi të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të gjithë biznesmenët shqiptarë se për qeverinë situata aktuale e ekonomisë evropiane dhe botërore është një apel i madh dhe i fuqishëm: të zgjerojmë sa më shumë hapësirat për biznesin, të lehtësojmë sa më shumë barrën burokratike apo fiskale mbi të, t’i ofrojmë atij lehtësirat më të mëdha në kontratat ndër më të leverdishmet për të. Ai u ndal tek nisma e qeverisë “Shqipëria 1 euro” duke thënë se tashmë u bë një praktikë e zakonshme dhe nuk flet më njeri për të. “Ne, - pohoi Berisha, - jemi përpjekur të inkurajojmë krijimin e vendeve të reja të punës, por siç ka provuar historia e zhvillimit, të gjitha përpjekjet e tjera, përveçse atyre të tregut dhe lirisë së tij, janë përpjekje afatshkurtra dhe me kosto shumë të lartë. Detyra e qeverisë është të kontribuojnë ndjeshëm në aftësimin e punëtorëve, në kualifikimin e tyre, në trajnimin dhe ritrajnimin e tyre, përshtatjen e tërë sistemit arsimor me tregun dhe kërkesat e tij, ndërsa të tjerat janë tërësisht në duart e sipërmarrësve”, - deklaroi z. Berisha. Gjatë fjalës hapëse në panairin e punës, presidenti i Bordit të Drejtorëve z. Philip H. Bay, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen, vlerësoi se Shqipëria është një vend i hapur për investime, ndërsa shtoi se në rajon dhe në Evropë, shoqëritë dhe kompanitë janë duke pushuar njerëzit nga puna, ndërsa në Shqipëri ne po punësojmë njerëz. Po dje, Kryeministri Berisha siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë për një tjetër grup të kufizuar njerëzish në vështirësi të skajshme ekonomike, të cilët në tërësi janë nëna me fëmijë jetimë, të divorcuar apo në fatkeqësi të kryefamiljarëve të tyre. Për këtë arsye Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për dhënien falas të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar, për të gjithë nxënësit e familjeve me ndihmë ekonomike. Z. Berisha vuri në dukje se ky vendim merret në kuadër të nismave dhe përpjekjeve të qeverisë për të luftuar varfërinë dhe për të siguruar mundësitë e shkollimit me tekste për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë kushtet ekonomike. “Ne vendosim dhënien totalisht falas të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve, pasi nuk mund të lejojmë që ai qytetar që ka vështirësi të paguajë shumën e rimbursimit, ta lërë fëmijën e tij pa tekste dhe pa shkollë”, - deklaroi Kryeministri. Duke marrë si referim një studim të Bankës Botërore, UNDP-së dhe Institutit të Statistikave, Berisha përmendi se ky studim serioz dëshmon se në një hark kohor 3-vjeçar, 200 mijë shqiptarë dolën qartësisht nga varfëria. Në muajin maj të këtij viti, 170 mijë qytetarë të këtij vendi që kishin të ardhura mujore nën 2 dollarë, kaluan përtej kufirit të varfërisë, me të ardhura mbi 2 dollarë. “Në këtë drejtim, - shtoi Kryeministri, - prefekturat dhe qeveritë vendore kanë filluar të bëjnë një punë shumë të mirë dhe po identifikojnë këto familje që nuk janë kaq të shumta, por që ekzistojnë. Ndaj këtyre familjeve, skema e ndihmës ekonomike do të jetë tjetër”, - theksoi Berisha, duke nënvizuar se qeveria jep 150 milionë euro ndihmë sociale, pra ka mbidyfishuar këtë fond, i cili ka qenë 7 miliardë dhe është bërë 15 miliardë, pa llogaritur aspekte të tjera të ndihmës për këtë kategori.