Legalizimet, Vendimi, brenda 90 ditësh
ALUIZNI do të vendosë se cili objekt legalizohet
Procedura në bazë të ligjit, kush nuk legalizohet
Në një periudhë prej tre muajsh, jo më vonë se 90 ditë, çdo qytetar që ka një ndërtim pa leje, do të mësojë përfundimisht në rast se ndërtesa e tij do të legalizohet ose jo. Këshilli i Ministrave vendosi dje që Agjencia e Legalizimeve të vendosë për të bërë këtë përcaktim. Vendimi i marrë dje u dërgua në fletoren zyrtare dhe fill pas botimi atje, ALUIZNI ka vetëm 90 ditë kohë që të informojë zyrtarisht çdo qytetar me ndërtim pa leje për fatin e pasurisë së tij.
Sipas këtij vendimi, ALUIZNI të kryejë procedurat e evidentimit në terren, të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe të shqyrtojë e të kualifikojë ndërtimet informale në të gjitha qarqet e vendit, për shkak të mosushtrimit nga organet e njësive të qeverisjes vendore të përgjegjësive të parashikuara në nenin 10 të ligjit. ALUIZNI, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kryejë evidentimin në terren të objekteve informale si dhe të objekteve me leje me shtesë informale në objekt, si dhe të bëjë përditësimin e të dhënave të gjendjes ndërtimore dhe të hartojë procesverbalin e konstatimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara për shqyrtimin dhe kualifikimin e objekteve informale që legalizohen ose jo, vepron me dokumentacionin. Së pari përgatitet harta ku pasqyrohet sistemi rrugor i nivelit kombëtar e rajonal, ekzistues, i miratuar ose në proces miratimi, infrastruktura inxhinierike, territoret, që kanë mbrojtje të veçantë ligjore, situata e pronësisë mbi tokën si dhe studimet urbanistike, që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate mbi troje private, brenda vijës kufizuese të ndërtimit, të miratuara deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të legalizimeve, që është 14 maji i vitit 2006.
Kush nuk legalizohet
Pas këtij procesi, plotësohen dy formularët njëri prej të cilëve të lejon të legalizosh ndërtimin, ndërsa tjetri jo, në bazë të kritereve të ligjit. Formulari i tipit A të legalizon, ndërsa ai i tipit A1 të përjashton nga procesi. Në këtë pikë ligji thotë se “përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës”.
Sipas ligjit, personat që kanë bërë ndërtime në zonat arkeologjike apo në zonat e njohura për përmbytje si dhe në ato me ndotje të madhe, nuk do t'u pranohet legalizimi deri në rehabilitim. Gjithashtu, edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo, pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave. Vetëm pak javë më parë, ZRPP-ja hartoi një udhëzim, i cili përcakton mënyrën e regjistrimit të lejeve të legalizimit, për të tërhequr tapinë, vetëm në tri raste. Rasti i parë është kur ndërtimi pa leje ndodhet në pronësi të vetë qytetarit. Rasti i dytë, kur ndërtimi ndodhet në truall, që është në pronësi të shtetit dhe në rastet kur ndërtimi ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. Pra, në këtë rast, prona do të kalojë në emër të shtetit, pra do të shpronësohet dhe më pas do të kalojë në emër të të legalizuarit. Sipas të dhënave, zyrat e ALUIZNI-t do të dërgojnë në Hipotekë vetëm ato prona të paligjshme që më parë janë miratuar nga qeveria për shpronësim.
Ndërtimet pa leje që përjashtohen nga legalizimi
Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset ose veprat kryesore të infrastrukturës publike (për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Sipas ligjit, personat që kanë bërë ndërtime në zonat arkeologjike apo në zonat e njohura për përmbytje si dhe në ato me ndotje të madhe, nuk do t'u pranohet legalizimi deri në rehabilitim. Gjithashtu, edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo, pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave.