Regjistrohen 4 koalicionet politike në KQZ

Ndërkohë që kishte mbetur edhe pak kohë për përfundimin e afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ, të katër koalicionet parlamentare që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste depozitoi në KQZ kërkesën për koalicionin Bashkimi për ndryshim menjëherë pasi PBDNJ shpalli bashkimin me koalicionin e majtë, drejtuar nga PS.
Koalicioni i kryesuar nga PS ka në përbërjen e tij PS, PSD, PDS, PBDNJ, dhe G99. Po dje pasdite është regjistruar në KQZ edhe koalicioni i të djathtëve i quajtur Shqipëria po ndryshon i kryesuar nga PD dhe në përbërjen e saj janë dhjetë parti. Ndërkohë pranë KQZ është regjistruar edhe koalicioni tjetër i partive të majta udhëhequr nga LSI. Në koalicionin Aleanca Socialiste për Integrim bëjnë pjesë LSI, PSV 91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të drejtat dhe liritë e njeriut, Partia për mbrojtjen e të drejtave të emigranteve dhe Partia Toleranca e Re që mbron të drejtat e komunitetit rom. Koalicioni Poli i Lirisëështë regjistruar në KQZ një ditë më parë. Ndërkohë data 18 maj është afati i fundit për regjistrimin në KQZ të kandidatëve për deputetë. Në këtë mënyrë ka përfunduar regjistrimi zyrtar i koalicioneve si dhe i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar gjithsej 45 parti politike dhe 4 koalicione. Për herë të parë në një proces elektoral do të konkurrojë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë edhe një subjekt që mbron të drejtat e myslimanëve, sikundër është Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, me kryetar Sabri Jacaj. Ndërkohë, partitë me filozofi kristiane që pritet të regjistrohen nuk përbëjnë surprizë, pasi nuk është hera e parë që ato marrin pjesë në proceset zgjedhore, madje duke fituar edhe deputetë, sikundër është Partia Demokristiane e Nard Ndokës apo Lidhja Demokristiane, me kryetar Nikollë Lesin. Në bazë të Kodit Zgjedhor, subjektet politike duhet të regjistrohen 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, më parë si subjekt politik më vete dhe pastaj si koalicion zgjedhor. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, thuhet në nenin 65 të Kodit. Ndërkohë, në nenin 68 citojmë shprehimisht se Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 10.000 zgjedhës.