Dule kalon majtas, i kundërvihet ministri Barka
Barka: Ka dalë kundër kryesisë
PBDNJ del nga qeverisja 40-vjeçare me PD-në
Vangjel Dule ka zgjidhur dilemën e tij parazgjedhore, duke u pozicionuar majtas në prag të zgjedhjeve. Zgjedhja e tij ka nxjerrë përfundimisht PBDNJ-në nga qeverisja aktuale, pasi pritet vetëm zyrtarizimi i largimit të ministrit Kosta Barka dhe i zyrtarëve të tjerë në nivele të dyta e të treta. Por në fakt, vendimi i Dules i marrë pas një takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, dje paradite, ka hasur në kundërshtimin e kryesisë së partisë së tij dhe të ministrit në detyrë. Kosta Barka e ka cilësuar imoralitet politik lëvizjen e kryetarit të partisë dhe një vendim në kundërshtim me qëndrimin e forumit drejtues të partisë. Sipas Barkës, vendimi i kryesisë ishte 7 vota për të dalë të vetëm në zgjedhje dhe 5 vota për të qëndruar në koalicionin e djathtë. “Ky është një vendim imoral nga pikëpamja politike, pasi kemi bashkëpunuar 4 vjet me Partinë Demokratike, të shkojmë në një koalicion të majtë”, - tha Barka dje pasdite. Por tashmë nuk ka asnjë kthim prapa, pasi Partia Socialiste ka nxituar që të depozitojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për koalicionin “Bashkimi për ndryshim”, në përbërjen e tij është PS, PSD, PDS, PBDNJ dhe G99. Buk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë në vazhdim kundërshtarët e lëvizjes që bëri dje Dule, por bëhet e ditur se dhe organizata “Omonia”, e cila përbën dhe bërthamën e elektoratit të kësaj partie, ka qenë kundër daljes majtas në këto zgjedhje. Kundërshtarët e Dules nuk kanë kohë fizike për të ndërmarrë ndonjë veprim politik, si krijimi i një partie të re apo të gjejnë ndonjë rrugëzgjidhje tjetër politike për të vazhduar bashkëpunimin me të djathtën. Ndërkaq, sipas Dules, negociatat me Partinë Demokratike dështuan dhe PBDNJ nuk gjeti terren të përbashkët me mazhorancën aktuale. Dule theksoi se “vendimi është marrë me korrektësinë më të madhe, duke shtuar se në ditët në vazhdim do të jepen detajet e këtij bashkëpunimi”. Kreu i PBDNJ-së nënvizoi faktin se partia që ai drejton ka prioritet integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Nuk është hera e parë që PBDNJ bën kalime politike sa majtas-djathtas, pasi të njëjtën gjë bëri pas zgjedhjeve të 2005-ës kur doli nga koalicioni i majtë dhe iu bashkua koalicionit qeverisës.