E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e peshkut, qeveria ul tarifat me 1 euro



Aplikimi, dyfishohet numri i fermerëve

Berisha: Kryeson projekti i ullirit

Qeveria ul në 1 euro tarifën e përdorimit të ujërave të brendshme dhe detare për rritjen e peshkut. Ky vendim synon që të rrisë investimet në fushën e akuakulturës dhe rritjes së peshkut, si një fushë e rëndësishme në shërbim të shfrytëzimit të ujërave. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka një draft për strategjinë e saj të zhvillimit të peshkut dhe akuakulturës për periudhën 2007-2015. Objektivat kryesore të qeverisë parashikojnë që Shqipëria të arrijë një prodhim peshku mbi 50 mijë tonë në vit dhe mbi 5000 tonë midhje dhe molusqe të tjera, konsumi i të cilave pritet të rritet. Aktualisht në Shqipëri vlera e prodhimit të peshkut llogaritet me rreth 31 milionë USD në vit. Kjo strategji, e cila është e para e hartuar në këtë sektor, synon të ridimensionojë vlerat dhe peshën shumëfaktoriale të sektorit të peshkimit në kuadër të ekonomisë kombëtare. Qeveria po u kushton një rëndësi të veçantë edhe fermerëve në mbarë vendin. Kryeministri Sali Berisha njoftoi se numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë, është disafishuar. Sipas tij, ky është një hap shumë pozitiv dhe se aplikimet bëhen me projekte të qarta, të studiuara dhe të mirëpërcaktuara. Kryeministri tha se në këto aplikime kryeson projekti i ullirit. “Ata që po merren me vlerësimin e projekteve, konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh. Në këtë drejtim, veçanërisht është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë “ethja” e ullirit, ku përmes subvencionimit, janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj”, - tha Kryeministri. Ai nënvizoi se për rreth gjysmë viti, janë mbjellë pothuajse sa gjysma e numrit të rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri, ku janë gjithsej rreth 5 milionë rrënjë. Kryeministri tërhoqi vëmendjen që granti i qeverisë t’u lëvrohet fermerëve fitues nga aplikimi, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, ku projekti i ullirit mbetet parësori. Gjithashtu, Kryeministri tha se për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja, rigorozisht të bazuara në projekte, pasi sipas tij, për këtë zonë nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës. Kryeministri evidentoi faktin se në 3 vjet, pothuajse është dyfishuar prodhimi i frutave në vend. Veçanërisht prodhimi i mollës ka njohur një zhvillim shumë të madh në rrethin e Korçës, Pogradecit, Kolonjës e Dibrës. Ka rënë ndjeshëm importi i frutave, por akoma edhe më shumë duhet të bjerë. Gjithashtu, ka rritje edhe të prodhimit të frutave, zarzavateve, mishit e bulmetit. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se krahas nxitjes për fermerët, Ministria e Bujqësisë duhet të ketë programe informative, përmes mediave lokale, për të informuar intensivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut. “Duhet t’u kërkohet fermerëve të mos u referohen çmimeve të doganave. Ky është një gabim i madh, sepse në jo pak raste çmimet e doganave kanë synim mbrojtjen e tyre. Ai duhet të njihet me çmimin e bursës dhe çmimin e tregut dhe më pas të bëjë llogaritë vet”, - tha Kryeministri. Berisha garantoi se qeveria do të vazhdojë me programin e rimbursimit dhe granteve për bujqësinë, sepse ky program po jep efekte të shkëlqyera, krahasuar me akcizën e famshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›