E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi mbi kolektor pengon investimin për ujërat e zeza

04/07/2011  Nis dhe projekti i filtrimit të ujërave të zeza në det

DURRES- Një objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbi kolektor ka mbajtur peng prej disa muajve investimin shumë të rëndësishëm në zbatimin e projektit të kanalizimit të ujërave të zeza në bregdetin e Durrësit. Projekti për t’i dhënë fund ndotjes së detit nga fekalet ka kaluar në dy faza, njëra prej të cilave është mbyllur. Agjencia rajonale e Mjedisit në Durrës ka bërë të ditur se faza e projektit që nis me kanalizimet dhe shtrimin e tubacioneve nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem ka përfunduar. Projekti është bllokuar në anën tjetër të këtij investimi, në zonën që do të disiplinojë ujërat e zeza nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit. Kreu Agjencisë së Mjedisit, Ramazan Kalia, ka pohuar se Banka Botërore është tërhequr nga dhënia e fondeve në pritje të zgjidhjes së problemit të bllokimit të kolektorit. Kanali i ujërave të zeza që është objekt i investimit shumë të rëndësishëm gjendet pranë një stacioni pompimi disa metër larg nga Ura e Dajlanit në Plazhin e madh të Durrësit. Kalia ka thënë se aty është ndërtuar një objekt privat dhe për të zhbllokuar situatën duhet shembur objekti. Por kjo tani për tani është e pamundur, pasi mësohet se bashkia e ka pajisur me leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi. Agjencia apo Inspektorati përkatës për ta shembur godinën që pengon investimin duhet të kalojë në disa dyer duke nisur nga bashkia për të përfunduar në gjykatë. Vetëm kjo e fundit do të mund të vendosë për shembjen ose jo. Çdo tendencë tjetër dhe nismë e njëanshme penalizon autoritetin apo institucionin, i cili duhet të marrë parasysh veç problemeve të tjera edhe koston e dëmshpërblimit. Ministria e Mjedisit ka deklaruar se gjithçka lidhur me këtë projekt duhej të mbyllje para muajit prill, ndërkohë që faza e dytë vazhdon të mos nisë së investuari vetëm për arsyen e mësipërme. Landfilldi në Golem dhe ai në Shënvlash janë gati prej një viti dhe është pritur shtrimi tubacioneve në dy anët e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Spille. Ministria e Mjedisit dhe Agjencia rajonale e Mjedisit kanë bërë të ditur se për të shmangur derdhjen e ujërave të zeza në det në plazhin Shkëmbi i Kavajës-Mali Robit,-Golem-Spille është investuar 5 milionë euro dhe gjithçka është gati. Ndryshe është pjesa tjetër ajo nga Plepat deri në Shën Vlash, e cila duhet të presë gjatë vendimin për shembjen e objektit mbi kolektor. Për të shmangur ndotjen e detit nga fekalet Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë disa nisma provizore siç janë ndërtimi i filtrave mekanik me zhavorr e rrjetë teli në kanalet që derdhin ujërat e zeza në det. Këto filtra bllokojnë materialin, kurse pas filtrave një tub i çarë në disa vende sprucon solucion kimikat me përzierje hipoklorit natriumi, acid klorhidrik dhe sulfat alumini. Kjo e sterilizon ujin dhe bën që në det të derdhet vetëm produkt pa ngarkesë biologjike. Të tilla pengesa e filtra janë vendosur tek kanali i madh pranë Kavalishencës në Plepa, tek Përroi Agait, pranë komisariatit të policisë në Golem dhe tek “Konadi”. Solucioni që kalon në tubin e hollë ruhet në depozita të mëdha 2300 litërshe dhe klorinimi i tillë i ujit do të vijojë deri në fund të muajit gusht, kohë që përkon me mbylljen e sezonit të pushimeve në bregdet. Për herë të parë bregdeti do të jetë i pastër dhe pa ujëra te zeza, ndërsa Agjencia Mjedisore tani do të përqendrohet në survejimin e gropave septike të hoteleve e moteleve, restoranteve dhe resorteve të ndryshme turistike për të mos lejuar që ata të derdhin ujërat e zeza në det. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›