Berisha: Asnjë opozitë në botë nuk i kundërshton ligjet vetëm për inat të Kryeministrit

Kryeministri Sali Berisha dënoi dje gjatë seancës parlamentare vendimin e opozitës, për të bllokuar çdo ligj në Kuvend. Pas propozimeve në PS për të mos u votuar asnjë ligj në Parlament, ne debatin e lire 60 minutash, kryeministri Sali Berisha ka reaguar nga podiumi i Kuvendit që politika shqiptare të lejë mënjanë armiqësitë dhe të bashkëpunojë për hir të mirëqenies në vend. Berisha theksoi se në asnjë vend të botës, asnjë opozitë nuk braktis votimin e ligjeve, por bashkëpunon në parlament, mbi të gjitha sepse është ligjvënës. “Kurrë nuk mund të ndodhë që një opozitë të mos votojë ligjet kjo s’ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit, sepse jeni ligjvënës, ju garantoj se çdo ligj do diskutohet këtu në frymën e kompromisit, ju garantoj se në çdo rrugë tjetër propozimet tuaja do vlerësohen që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, tha kryeministri Berisha. Berisha kujtoi se dhe në kohë të më vështira, ish-ministra e ish-kryeministra nga opozita kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me pozitën për të mirë të vendit. “Unë gjykoj këtu që të flasim këtu për korrupsionin, probleme ekonomike dhe sociale dhe normale dhe akoma më normale është të propozosh ligje dhe amendime, por jo të mos votoni asnjë ligj në këtë parlament, në një kohë kur këtu me ish- ministra, ish-kryeministra, me të cilët edhe në situata më të vështira nuk kemi refuzuar kurrë të mos bëjmë ligjet bashkë. Unë nuk dua të përfitoj”, u shpreh kreu i qeverisë. Në këtë pikë, Berisha i bëri thirrje opozitës të mos veprojë e udhëhiqet nga ndjenja e armiqësisë kundrejt personit të tij. “Mos kujtoni se ka në botë opozitë që nuk voton ligjet për inat të kryeministrit, se unë e di që nuk e keni me mazhorancën por e keni hallin me mua. Ju ftoj të mos udhëhiqeni nga fryma e armiqësisë, por nga ajo e bashkëpunimit. Kjo ishte thirrja ime shumë e sinqertë ndaj jush”, tha më tej kryeministri.
...