Prioritetet në rajon - liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe statusi kandidat

Presidenca belge
Nga dje, Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian i takon Belgjikës. Pas 6 muajsh kryesimi të Spanjës, Madridi i ka dorëzuar flamurin e Unionit, Brukselit zyrtar. Në 6-muajt e presidencës belge, shqiptarët dhe boshnjakët presin që të merret vendimi për heqjen e regjimit të vizave. Në rastin më të mirë parashikohet që ky vendim të merret nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm Europiane në nëntor të këtij viti, datë kjo e mbrojtur fort nga liderët e bllokut 27 anëtarësh, e cila tashmë mund të thuhet me bindje se është e përfshirë zyrtarisht në axhendën e presidencës belge. Në fillim të nëntorit Komisioni pritet të publikojë opinionin për Shqipëria dhe Malin e Zi, lidhur me plotësimin e kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në vijim të shtrirjes së diplomacisë evropiane drejt vendeve të rajonit, presidenca belge synon që që gjatë mandatit të saj të caktohet një date se kur do të anëtarësohet Kroacia në BE. Lidhur me Maqedoninë, Brukseli nuk premton asgjë lidhur me çeljen e negociatave, duke fokusuar kështu në axhendë të politikës së Jashtme Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë. Presidenca e radhës e BE-së Belgjika nis udhëheqjen e BE-së me një qeveri teknike, e cila mund të zëvendësohet nga një ekip i ri politikanësh, nëse kësaj radhe nuk do të përsëritet shembulli i 2007-s, ku u deshën plot 9 muaj për të formuar një qeveri.
...