Shkodër, makina e emigrantit përplas motoçiklistin
SHKODËR- Aksidentet automobilistike vazhdojnë të jenë të pranishme në rrugët e Shkodrës, veçanërisht tani me ardhjen e emigrantëve ku numri i automjeteve është rritur ndjeshëm. Rreth orës 07. 45 të ditës së djeshme, një automjet tip Audi me ngjyrë gri dhe targa të huaja “DB 571 DL”, që lëvizte nga fshati Mjedë në drejtim të Bushatit, ka aksidentuar një 55- vjeçar që udhëtonte me motor. Ndue Vathaj, 55 vjeç, ka qenë duke lëvizur nga një rrugë dytësore dhe sapo ka dalë në aksin kryesor Mjedë – Bushat është përplasur me automjetin që drejtohej nga emigranti Shtjefën Gavoçi. I dëmtuari është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa është shoqëruar drejtuesi i automjetit. Sipas policisë, mendohet se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e drejtuesit të motoçikletës që i ka prerë rrugën papritur automjetit. Ndërkohë Gjykata e Apelit Shkodër ka liruar një të arrestuar për aksident me pasojë vdekjen. Arben Gjini, 32 vjeç, akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e një shtetasi pasi ka aksidentuar shtetasin Genc Çapani. Por pasi e ka dërguar të dëmtuarin në spital, autori i aksidentit është vetëdorëzuar. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokati ka kërkuar që të rrëzohet masa e sigurisë arrest në burg për Gjinin, pasi dhe i dëmtuari i cili ka shpëtuar ka pohuar me shkrim se dy familjet kanë marrëdhënie normale, mirëkuptim të plotë dhe madje kanë pirë dhe kafetë e pajtimit mes tyre. Nisur nga kjo dhe nga rezultatet e ekspertizës ligjore, Apeli ka vendosur revokimin e masës së sigurisë.