E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Bentler e konsiderojnë sfidë gjendjen në veri

Prishtinë, 26 gusht - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Markus Bentler. Ai e falënderoi gjeneralin Bentler për kontributin dhe punën si komandant i KFOR-it në një periudhe te rëndësishme për Kosovën.
"Institucionet dhe qytetarët e Kosovës çmojnë lartë dhe kanë besim të plotë ne rolin e KFOR-it dhe të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës", tha kryeministri Thaçi, duke siguruar gjeneralin Bentler për vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me komandantin e ri te KFOR-it. Kryeministri falënderoi gjeneralin Benlter dhe KFOR-in  për ndihmën në ngritjen e Forcës se Sigurisë se Kosovës, si forcë profesionale, moderne sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Z. Thaçi dhe z. Bentler janë pajtuar se bartja e kompetencave nga KFOR-i për ruajtjen e kufijve të Kosovës dhe të objekteve kulturore dhe fetare tek Policia e Kosovës është shenjë e përmirësimit të gjendjes së sigurisë, por edhe të profesionalizimit të strukturave vendore të sigurisë.

Gjatë takimit është vlerësuar se gjendja në veriun e Kosovës është ende sfidë.
Kryeministri Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës do të bëjnë çmos që atje të mbretërojë ligjshmëria, qeverisja demokratike dhe zhvillimi socio-ekonomik.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, ka falënderuar kryeministrin Thaçi për bashkëpunimin e sinqertë dhe është shprehur se KFOR-i mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›